Site icon Telegrafi

Banesa me zemër të gjelbër: Një ndërtesë me fasadë të gjelbër 2.300 metra katrorë

Të gjitha tarracat e banesave janë të zhytura në gjelbërim

Kur është ndërtuar, më 2014, ndërtesa banesore “Tree House” në Singapor, ka hyrë në Librin e rekordeve të Ginisit si një objekt me murin më të madh të gjelbër në botë, me sipërfaqe prej 2.300 metrash katrorë.

Sot e quajnë shtëpi me zemër të gjelbër, sepse është konstatuar që është bërë shtëpi e 99 specieve shtazore, nga të cilat 53 specie janë shpezë, transmeton Telegrafi.

Ndërtesa gjendet në pjesën më të qetë të Singaporit dhe ka 24 kate, por, përveç murit të gjelbër, ka edhe teknologji të tjera të qëndrueshme siç janë dritaret të cilat reduktojnë humbjen e ngrohtësisë dhe sensorët të cilët detektojnë lëvizjen dhe aktivizojnë dhe çaktivizojnë ndriçimin.

Ndërtesa është projektuar në atë mënyrë që të realizojë kursimin e më shumë se 500.000 dollarëve, nëpërmjet kursimit të energjisë dhe ujit.

Muri i jashtëm i gjelbër zvogëlon absorbimin e ngrohtësisë, gjë që mund të çojë në kursim të energjisë midis 15 dhe 30 për qind.

Kopshti vertikal, që zbukuron murin e kësaj ndërtese, përveçse do të kursejë para, do të reduktojë edhe ndotjen e mjedisit, pasi do të reduktojë gjurmën e karbonit të godinës së banimit duke filtruar ndotësit dhe dyoksidin e karbonit nga ajri.

Gjithashtu është shumë i rëndësishëm biodiversiteti i saj sepse është bërë habitat për lloje të shumta kafshësh.

Kompania “City Developments Limited” është përgjegjëse për ndërtimin e këtij objekti unik.

/Telegrafi/

Exit mobile version