Telegrafi

Ballkani pëson gol në çastet e fundit – ndeshja me Santa Coloman shkon në vazhdime

Ndeshja e kthimit mes Ballkanit dhe Santa Colomas që po zhvillohet në ‘Zahir Pajaziti’ të Podujevës do të shkojë në vazhdime pasi mysafirët shënuan gol në çastet e fundit për ta barazuar rezultatin e përgjithshëm në 2-2.

Ballkani e nisi mirë lojën duke mbajtur posedimin e topit dhe duke rrezikuar në disa raste portën e mysafirëve.

Rasti i parë serioz për gol i takoi pikërisht ekipit të Ilir Dajës, të cilët në minutën e shtatë rrezikuan seriozisht me anë të Sunday Adetunjit i cili ballë për ballë portierit dështoi të shënojë.

Iniciativa e Ballkanit vazhdoi edhe më tutje, mirëpo përkundër të gjitha tentimeve ata nuk arritën të gjejnë rrugën e rrjetës.

Në minutën e 18-të, Ballkani pati një tjetër rast të mirë shënimi ku sërish në skenë doli Adetunji i cili një krosim në zonë nuk arriti ta konkretizojë në gol duke gjuajtur me kokë jashtë portës.

Mysafirët në anën tjetër gjatë 45 minutave të para patën disa dalje tek porta e Ballkanit, por duke mos e kërcënuar asnjëherë atë seriozisht.

Suharekasit morën një goditje të rëndë në minutën e 36-të kur gjyqtari i takimit Oleksiy Derevinskyi e ndëshkoi me karton të kuq Adetunjin duke i lënë ata me një lojtar më pak në fushë.

Mysafirët e nisën më mirë pjesën e dytë duke rrezikuar përmes Bilal El Bakkali Salah (54’) i cili depërtoi në zonë, por gjuajtjen e tij e ndali Enea Koliçi.

Santa Coloma sërish erdhi në shprehje për gol kësaj radhe me anë të Joaquin Cifuentes i cili brenda zonës bëri një gjuajtje e cila përfundoi pak centimetra larg shtyllës së majtë.

Ballkani pati një mundësi të artë me Walid Hamidin i cili në minutën e 68-të pas një aksioni të bukur individual iu afrua golit, por gjuajtja e tij ishte e dobët.

Therandasit pësuan gol krejt në fund të takimit, ku pas ekzekutimit të rivënies këndore Egzon Sinani shënoi në rrjetën e portës së tij për 1-0.

Tani fituesi i këtij takimi do të caktohet pas 30 minutave vazhdime ose eventualisht pas ekzekutimit të penalltive./Telegrafi/