Telegrafi

Ballkani mposht me lehtësi Malishevën dhe kalon në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës

Ballkani ka fituar me lehtësi në udhëtim te Malisheva me rezultat 3-0 në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Kosovës, duke u kualifikuar në gjysmëfinale.

Kampioni i Kosovës ka treguar forcën e vërtet duke mos i lënë asnjë mundësi befasisë në ndeshjen çerekfinale ndaj Malishevës.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të therandasve, të cilët përveç rasteve të shumta, arritën të shënojnë edhe dy gola.

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas 25 minutave lojë me anë të Mamadou Danfa, i cili shënoi për 0-1, ndërsa në minutën e 44-të ishte Nazmi Gripshi që shënoi për 0-2 dhe me këtë rezultat ekipet shkuan në pushim.

Në pjesën e dytë, përsëri Ballkani ishte skuadër më e mirë, krijoi më shumë dhe shënoi edhe një gol tjetër.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 50-të me anë të Gripshit, i cili shënoi për 0-3 dhe deri në fund ky doli të ishte rezultati përfundimtar i ndeshjes.

Me këtë fitore, Ballkani e siguron kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, aty ku tashmë janë kualifikuar Prishtina, Drita dhe Suhareka. /Telegrafi/