Telegrafi

Baleti, muzika e piktura – pasionet e tetëvjeçares nga Gjilani

“Pasioni im më i veçantë është këndimi dhe vallëzimi. Kur isha vetëm 4 vjeçe, kam kënduar këngën time të parë të quajtur ‘Datëlindja’ dhe tani si 8-vjeçare, kam publikuar gjashtë këngë”.

Kështu rrëfehet për Telegrafin, 8 vjeçarja nga Gjilani, Kenza Ismajli.

“Unë jam Kenza dhe kam përfunduar me sukses të lartë klasën e dytë në shkollën fillore ‘Selami Hallaqi’, në Gjilan. Përveç shkollës, vijoj edhe shkollën e muzikës. Kam përfunduar klasën e parë, në shkollën e muzikës, në instrumentin e pianos”, ka rrëfyer Kenza për Telegrafin.

Ajo tutje tregon se i pëlqen shumë këndimi dhe se ka marr pjesë në shumë festivale.

“Unë jam këngëtare dhe kam marr pjesë në shumë festival. Kam marrë shpërblime dhe mirënjohje të shumta”, shtoi Kenza, duke theksuar se përpos këndimit, ajo pasion e ka edhe vallëzimin.

“Jam valltare në grupin modern në shkollën e vallëzimit ‘Dancing House’”, shtoi tutje 8-vjeçarja.

Ndërsa, nëna e Kenzës, Merita Kërqeli-Ismajli, shprehet për Telegrafin se vajza e saj ka qenë gjithmonë energjike dhe e gjallë.

“Kenza ka qenë gjithmonë vajzë energjike dhe e gjallë. Që kur ishte e vogël, ajo tregonte një interes të jashtëzakonshëm për muzikën. Ne, si prindër kemi qenë gjithmonë të përkushtuar që ta mbështesim në çdo pasion të saj”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se baleti ka qenë pasioni i saj i parë.

“Shpesh e kam parë duke vallëzuar në dhomën e saj. Ishte pasioni i saj i parë dhe me shumë dashuri e bënë çdo lëvizje në balet”, theksoi ajo.

“Kenza talentin e saj më së miri e shpreh në këndim dhe vallëzim. Vajza ime deri tani ka publikuar gjashtë këngë. Nëpër koncerte të ndryshme për këndim dhe vallëzim ka fituar shumë mirënjohje për talentin e saj”, ka thënë Kërqeli-Ismajli.

Në rrugëtimin e Kenzës për eksplorimin e pasioneve, nuk i mungon edhe talenti në pikturim.

Nëna e saj thotë se që kur ishte e vogël ka filluar edhe të pikturoj.

“Piktura e saj e parë nuk ka qenë edhe aq e thjeshtë për moshën e saj, sepse mënyra se si i ka përdorur ngjyrat dhe hijezimin, më ka habitur plotësisht. Kenza thotë se do të vazhdojë ta sfidojë vetën edhe në pikturë dhe se kjo nuk do të jetë piktura e saj e vetme”, ka thënë Merita Kërqeli-Ismajli.

 

“Unë dhe bashkëshorti im jemi shume krenarë për vajzën tonë. Ne e mbështesim dhe e inkurajojmë në çdo hap të rrugës së saj artistike. E dimë se me përkushtimin e saj, ka potencialin për të arritur gjithçka që dëshiron. Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e rrugëtimin të saj”, ka përfunduar nëna e Kenzës. /Telegrafi/.