Poemë nga: Zef Zorba
Lal, vitet që për ty janë histori,
per ne nuk janë ashtu t’papërcaktueme.
Pse na, kuptom, i kemi pasë jetue
me mish e shpirtë,
po ashtu si po i jetojmë tani të tutë
përmes ndo’j vargu o’j harmonie prekëse
e shtëllunga përftyrimesh
që brofin (e nemosë pavetëdije) marramendëse
e të përflakin ty në atmosfera,
s’do mend të pacemtueme,
ndaj t’bamuna lamsh,
e, herë mbas here mue, befas më kthejnë
n’aso libime dritash
ku m’gjenin strehë ngushllimet
e mbase botëkuptimi, ku mbrehej çdo pikësynim
edhe pse jo i zgjidhun fizikisht.
Për dritat, Lal, desha të tham, që kam takue,
me të cilat shoqnohesha gjithmonë,
dritat që si i desha prap i due.
Ato të parat nuk kanë qenë si të zakontat
si ato që shkenca i përshkruen
çvendosje atomesh e elektronesh
ato qenë plazëm e papërpunueme,
por ç’ngrohtësi!
Nder duert e njoma
acari mbretronte, por fëmija
mbështillesh prej duhme ngjyre të çiltë
e zani t’ambel mjaltë te kryet e shtratit
që e përcillte tej zbulimeve të qiellit
n’mija refrene mitesh anakronistike,
e n’kuaj që ngisnin revan n’për kaltersi
e e zbrisnin mbi prozhmie pemësh çokolate
që kishte kurdoherë po t’njajten shije të
gjiut,
hem t’athet, hem dashunore.
E mandej drita u shtjellue në parametra
fatesh që ndryshonin sa herë kënellej stina:
ferkoje njëherë sytë e e tashmja
s’përgjasonte
me të kaluemen ma,
e zemrën ta ndryllte keqardhja e braktisjes
se çfarëdo pellgu të sajuem jo pa mundim,
(ruejtsi i patave në breg të moçalit në Durrës
kur m’bani udhambarë me dorë
mue në maje të kamionit me tesha,
ai shoku i vrapimeve me biçikletë
që vdiq prej polmonitit e ia vendosen mbi krye
kunoren me shemshir e lule pjeshke,
krekosja kur me bandë kalonim
për nën dritare të saj e pikërisht aty
unë kisha kontrapuntin solo me saks:
ajo çupa tejet e dobët,
por që kërcente në konop si balerinë
sado që ritmi të përshpejtohej
e s’bante një hap gabim.)
E prap se prap
në tjera gjurmë më joshte aventura
jashtë sferave që, kush e di, përse aq vrik
shteronin
e në përputhje me afshet djaloçare
të mbrujtuna lëçitjesh e zmadhimi
mendor e fiziologjik.
Sa patën qenë e sa vezullonin dritat
nëpër të cilat u përshkova,
kush i mban mend të tana?
Ç’asht e vërteta shumë i treti zbehja
(e pra i patëm lbyrun sytë aq mirë
sa edhe këso ditë prap lotojnë.)
Por mbeten të pashueme do,
madje të ankorueme fort për fund të detit
stuhije çapërdisë po edhe mendimi
E ato s’më shqiten kurrë.
Kur ktheva njëherë n’vendlindje
(isha djalë pesëmbëdhjetë vjeç, por i topitun
mbramjesh shëtisja n’molo e vreja përmbi ranë
kristale kripe që shpërbanin
në vezullime pambarim
ndriçimet e fanarëve,
ose ndejun mbi shkallën guri të skelës
shiritat vetëtues që sa e ciknin
faqen e amullt prej Dubrote ringjallëse
mbi pluhun antarciti e njolla nafte të blera.
Kur dolem prej stacionit të qytetit t’huaj
(ka qenë e para herë, e nata ishte e vokët)
na u shfaq papritmas sheshi
me reklame llampash neon shumngjyrash
që ndizeshin e fikeshin
n’ballë të shtëpive e mbi çati
e më ngeci fryma në fyt
këto llamburitje s’ishin si ato që kisha pa në filma
këto sikur prekeshin me dorë,
stërkalat e shatrivanit ne djemve
mbi këmishat doku t’gjelbërta na vesonin
e mbi fëtyrat e nxime tymi të lokomotivës.
Në një musander krijuem atelierin
ku prodhonim fotografi;
e llampa e kuqrremet
s’na i projektonte siluetat në mure,
por shoku m’dukesh si t’kish dalë
prej një pikture të përgjakur rembrandiane.
E në mbramje mandej, kokë mbi kokë,
mbi haretë shestonnim
atë udhëtim nëpër botë
tue përcaktue me hollësi sendet që do të merrnim
e ditët që do të qëndronim
në çdo qytet e në secilin vend.
Mandej u nxinë gjithë trotuaret
(përpëlitesh kafsha e zanun prej qarkut
e mbi kullë çekani rrihte monoton
edhe pse qiejsh vërtiteshin t’argjenta
e premtuese fortesat).
E kur? Tamam at’herë kur madhështore
e paplituese me qesëndi
qeshi së pari poezia
e u jepte frymë çinarëve të sakatuar
e gurve në Zallë të Kirit
Lal, prozhektorët përmbi palko
janë ma tërheqës se çfarëdo drite tjetër
Madje se edhe vetë qielli.
Unë i krijova
Mbase presioni atmosferik i naltë
ish ai aty që më duhej për mëshirime:
qoftë kur djaloshi hidhej
tej horizontit, o plaku zihej me Perëndinë;
e mbrapa deri vonë në pijetore
nëpër avuj alkooli lundronin herë dritë herë hije,
përzemërsitë e jonet përqethësisht të vërteta
të operistit shpupurishur flokësh.
…E perdja ra pa përfunduar akti,
Oh, mbase tani është vonë, një gjumë
gjithnjë e ma këmbëngulës po më troket
n’qepalla.
Por vetëm drita s’ka mbarim
Si ajo drita përmbi kënetë aso ditësh gushti
kur mbushte qiellin anë për anë
me pala të pakufishme
të një flamuri gjigand
e gjithfarë ngjyrash.
Veç drita s’ka mbarim.