Njësia A-5 e Termocentralit “Kosova A” sërish ka dal nga funksioni i prodhimit, pak ditë pas rikthimit nga remonti.
Kështu së paku pretendon Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e cila ka thënë se pa u bërë ende 10 ditë, blloku A5 ka dalë prapë jashtë funksionit.
“Pa u bë ende 10 ditë, blloku A5 del prapë jashtë funksionit. Thoshin se do të ndalet ”gjakderdhja financiare”, këta duan me i qitë në ”komë” ndërmarrjet publike. Ministrja e pat cilësuar dhuratë kthimin në punë të bllokut A5, doli të jetë dhuratë, se vetëm dhuratat zgjasin kaq pak. Për qëndrueshmëri duhet punë konsistente – don me ju shkua mandati pa e kuptua këtë gjë”, ka shkruar Bajrami.
Ndryshe, me 7 maj të këtij muaji ministrja Artane Rizvanolli kishte njoftuar se është rikthyer në operim njësia A5 e termocentralit “Kosova A”.
“Punonjësit e Kosovës A më dhanë dhuratën më të mirë për ditëlindje: rikthimi i njësisë A5 në operim. Së bashku me menaxhmentin dhe punonjësit festova ditëlindjen dhe rikthimin e njësisë në termocentralin Kosova A”, kishte njoftuar Rizvanolli./Telegrafi/