Site icon Telegrafi

Bahtiri i lut zyrtarët e KEDS-it për sanimin e prishjeve në rrjet

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka pritur drejtorin e investimeve në KEDS, Ferit Tufan, i cili ishte i shoqëruar nga Avni Alidemaj, drejtor i sistemit të operimit dhe Kujtim Miftari, inxhinier në distribucionin e KEDS-it në Mitrovicë.

Kryetari Bahtiri i njoftoi përfaqësuesit e KEDS-it me problemet e ndryshme që qytetarët e komunës kanë sa i përket furnizimit me rrymë elektrike dhe problemet me të cilat ata po ballafaqohen.

Në veçanti ai i njoftoi me problemet që kanë banorët e fshatit Vidimriq, ku janë raportuar dëme në shtyllat elektrike të cilat po rrezikojnë jetën e banorëve të atyshëm, të cilët edhe po përballen me reduktime të rrymës, pikërisht si pasojë e dëmtimit të këtyre shtyllave.

”Ju kisha lutur që sa më parë ekipet tuaja profesionale të dalin në vend të ngjarjes, të vlerësojnë gjendjen realisht dhe të ndërmarrin masa për sanimin e dëmeve, përkatësisht për rregullimin e shtyllave, në mënyrë që banorët të kenë furnizim të rregullt me energji elektrike”, shtoi Bahtiri.

Drejtori i investimeve në KEDS-së,Tufan, premtoi se menjëherë do të dërgoj në terren ekipet përkatëse për të marrë masat e nevojshme për evitimin e avarive dhe për përmirësimin e furnizimit të rregullt me energji elektrike të fshatit.

Po ashtu, kryetari Bahtiri kërkoi nga zyrtarët e KEDS-it që të angazhohen për përmirësimin e gjendjes edhe në fshatrat Vinarc dhe Suhodoll, sepse edhe ato nuk kanë furnizim të mirë e të rregullt me rrymë. Ai shtoj se këtë problem e ka ngritur edhe më parë, mirëpo nga zyrtarë të KEDS-it ka marr përgjigjeje se nuk kanë kompetenca për të operuar në atë pjesë.

Lidhur me këtë, drejtori Tufan ka shtuar se në kuadër të projektit për vitin 2017, do të shikohen mundësitë e përmirësimit të kushteve për stabilizim të furnizimit me rrymë edhe në këto fshatra, edhe përkundër situatës së ndjeshme atje “Ne jemi të përkushtuar për të bërë zgjidhje në të mirë të banoreve të kësaj ane”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version