Ekipi shqiptar ka pësuar humbjen e dytë në fazën ‘Legends Stage’ të turneut IEM Rio Major, ku u mposhtën nga ekipi ENCE.
Gara në turneun Major i cili po mbahet në Brazil sa shkon dhe bëhet më e vështirë, skuadrat më të mira të botës po garojnë për një grup çmimesh prej 1.2 milion dollarësh, ku për herë të dytë pjesë e turneut Major është edhe skuadra shqiptare Bad News Eagles.
Bad News Eagles u përballën me ekipin ENCE në ndeshjen e dytë të fazës ‘Legends Stage’ ku pësuan humbje me rezultat 16-7 në mapin ‘Ancient’.
Me këtë humbje tani bNE mbanë rekord të ndeshjeve 0-2 (asnjë fitore, dy humbje), dhe është një humbje larg eliminimit nga turneu IEM Rio Major.
Ekipit shqiptar tani i duhen tri fitore radhazi për t’u futur në listën e tetë ekipeve të cilat kalojnë në fazën tjetër të turneut.
Kundërshtari i radhës për ekipin Bad News Eagles do të mësohet së shpejti, dhe do të jetë njëri nga ekipet që mbanë rekord të njëjtë të ndeshjeve 0-2. /Telegrafi/