Site icon Telegrafi

BABA PO ZVOGËLOHET

Halil Matoshi (foto: Hazir Reka)

Poezi nga: Halil Matoshi

Kur erdha në jetë vigani i parë që ndesha ishte ai

Vigani vetë dhe ideja

Po hyj në të dyzetat jam bërë baba
Kur flas me babën jam fëmijë

Vallë cili jam në sytë e fëmijëve të mi?

Dhe përditë e më pak vend në shtëpi po zë
baba
Po zvogëlohet për habi
‘I grusht eshtra …

Një natë papandehur këtë e vërejta
E kërkoja me sy në shtratin e tij e s’e gjeja
Ku je baba!? – gati klitha

Ai më foli: “Këtu diku jam bir …” – u gëzova
Si fëmija që ende kam një baba por ajo diku më trembi

Këtu diku, rëndom thuhet për margaritarë që na tretin para syve
Super! Ende kam baba – ndonëse gjithnjë e më të vogël
Sepse gjithnjë e më pak zë vend në bisedat
Në hapësirën banesore, në darkat solemne,
Zënkat dhe dashuritë tona
Po zvogëlohet baba …

Do të kërkojë edhe pak (pak) ngrohtësi
Në këtë akullnajë dhe do të iki me shpejtësi
Si një pendël zogu n’hava
Do ta bart era një baba
Një viga …

Po zvogëlohet baba

Exit mobile version