Rrjeti i OJQ-ve “Avonet” ka shprehur dyshimin se Komuna e Prizrenit ka shkelur dispozitat e Ligjit për prokurimin publik në tenderin për instalimin dhe riparimin e ndriçimit publik për disa lagje e fshatra. Ky rrjet i ka bërë thirrje autoriteteve lokale që ta ndërpresin këtë kontratë, teksa nga organet e drejtësisë ka kërkuar hetim të rastit.
Në deklaratën për media të “Avonet” thuhet se gjatë hulumtimit të aktivitetit të prokurimit të Komunës së Prizrenit me titull “Instalimi dhe riparimi i ndriçimit publik në lagjet ‘Ortakoll’, ‘Bajram Curri’, ‘Tusuz’, ‘Arbanë’, ‘Jeta e re’, dhe në fshatrat Piranë, Zhur, Hoqë e qytetit e tjera lokalitete – Kontratë kornizë trevjeçare”, është identifikuar se në dosjen e tenderit ka pasur kritere diskriminuese dhe se të njëjtat janë vendosur edhe në paramasën e tenderit për auditim të punimeve.
“Po ashtu në paramasën e projektit është bërë vlerësimi në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik dhe në kundërshtim me Rregulloren nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, ku Komisioni i vlerësimit të ofertave të Operatorëve Ekonomikë, kanë bërë vlerësimin e paramasës duke e tejkaluar sasinë e përqindjes në 110%”, thuhet në deklaratë.
AVONET ka bërë të ditur se ka identifikuar se si autoriteti kontraktues tek çmimi për poentim ka ndarë pjesët sipas përqindjes: pjesa 1 – 70%, pjesa 2 – 30% dhe Pjesa 3 – 10%, që në total rezulton të jetë 110%.
Ky rrjet ka theksuar se ka kërkuar sqarime edhe nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, i cili në përgjigje ka bërë të ditur se “Autoriteti kontraktues që ka për qëllim dhënien e kontratës publike kornizë me “çmime njësi”, në përputhje me nenin 27.16 të Rregullores për Prokurim Publik, do të përcaktojë në Dosjen e Tenderit peshën e çmimeve të kategorisë specifike në bazë të rëndësisë dhe përqindja totale nuk duhet të kalojë 100%”.
Sipas Avonet, Komuna e Prizrenit ka nënshkruar kontratën publike kornizë me datën 16.05.2024 me grupin e operatorëve ekonomikë, ani pse është dashur që të veprojë sipas legjislacionit në fuqi.
“Kërkojmë nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj që urgjentisht të ndërpres këtë kontratë, që sipas hulumtimit të AVONET-it del se është në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik dhe Rregulloren për prokurimin publik”, thuhet në deklaratë.
Aty gjithashtu është kërkuar nga organet e drejtësisë hetimin e këtij rasti.
Telegrafi, të mërkurën dhe të enjten, ka kërkuar sqarime nga Komuna e Prizrenit lidhur me këto pretendime, por deri në momentin e raportimit nuk ka marrë përgjigje zyrtare. /Telegrafi/