Prokuroria e Lartë Publike në Beograd njoftoi më herët sot se Kosta K, i cili dyshohet se sot vrau nëntë persona në shkollën “Vladislav Ribnikar” në Vraçar, nuk i nënshtrohet përgjegjësisë penale pasi nuk i ka 14-vjet.
Këtë e ka konfirmuar për nova.rs edhe avokatja e djalit të dyshuar, Irina Boroviq ndërsa ka treguar edhe se si pritet të trajtohet ky rast.
“Tani duhet të bëhen analizat toksikologjike në VMA, pas së cilës do të intervistohet nga një përfaqësues i Qendrës për Punë Sociale. Pas kësaj ai do të intervistohet nga psikologu dhe psikiatri dhe nga kjo do të varen hapat e ardhshëm”, tha ajo.
Avokatja shton se babai i djalit është dërguar në dhomat e paraburgimit për 48 orë, ndërsa të premten do të merret në pyetje. Më pas do të vendoset nëse do të ndalohet apo lirohet.
Kujtojmë se të shtënat kanë ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 8:00 në shkollën e Vraçarit, afër Beogradit.
Nëntë persona u vranë, duke përfshirë tetë nxënës dhe një roje e shkollës.
Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar se i dyshuari e kishte planifikuar krimin për një kohë të gjatë. Në banesën e tij u gjet një listë e nxënësve që planifikonte të likuidonte, si dhe një plan i detajuar i shkollës ku do të kryente krimin. /Telegrafi/