Site icon Telegrafi

Avancimi i të drejtave të pakicave, Kamberi dërgon propozim me tetë pika në Kuvendin e Serbisë

Foto: Arkiv

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi në procedurë parlamentare, dorëzoi sot në Kuvendin e Serbisë një propozimligj të ri. Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave.

Ky Propozim i Ligjit përmban dispozitat fundamentale për avancimin e të drejtave dhe lirive individuale e kolektive në përputhje me standardet më të larta.

Ndalesa e diskriminimit, avancimi i të drejtave individuale e kolektive, krijimi dhe pozita e avancuar e Këshillave nacionale, janë disa nga risitë që parasheh ky propozim në raport me Ligjin aktual të aprovuar më 2002.

“Risi e veçantë e këtij propozimi ligjor janë dispozitat ndëshkuese ndaj atyre që nuk respektojnë normat e tij, në krahasim me Ligjin aktual i cili fare nuk përmban dispozita ndëshkuese, që praktikisht respektimin e të drejtave të pakicave e ka lënë në mëshirën dhe disponimin politik të qeverisë qendrore”, ka njoftuar Kamberi në Facebook.

Pikat kryesore që përmban ky propozim i dërguar sot në parlamentin e Serbisë janë:

Ruajtja e identitetit, traditës dhe veçantive;

Të drejtat në arsim – me të drejtën e krijimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe domosdoshmërinë që në tekstet shkollore të historisë, artit e kulturës së paku 50% e lëndës të jetë nga histroia e kultura kombëtare e pakicave;

Të drejtën e patjetërsueshme të përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit;

Të drejtën e pakufizuar të përdorimit të simboleve kombëtare;

Të drejtën për përfaqësim proporcional dhe adekuat në gjyqësor;

Lexo po ashtu “Nëse policia ju troket në derë dhe nuk jeni aty, ju fshijnë nga regjistri”, Sinani thotë se në Luginë po ndodh spastrimi etnik

Të drejtën për përfaqësim adekuat e proporcional në organet shtetërore;

Të drejtën e pakontestueshme për bashkëpunim me shtetin amë;

Krijimin e Fondit të veçantë për zhvillimin e komunave të pazhvilluara;

“Edhe kësaj radhe propozimi im ka hasur në përkrahjen e dy deputeteve të SDA së Sanxhakut dhe një deputeti të pakicës ukrainase”, ka njoftuar Kamberi.

“Dispositat ndëshkuese, dënimet me burg dhe të holla ndaj atyre që nuk respektojnë këtë Ligj në rast të aprovimit, duhet të jenë garanca e realizimit të tij”, ka thënë ai.

Ky është propozimi i tretë i Kamberit për ndryshime ligjore në 5 muajt e fundit.

Propozim ndryshimi i Ligjit për përdorimin e flamurit dhe riorganizimi i territoreve të gjykatave dhe prokurorive janë propozimet që kanë hy në procedurë parlamentare./Telegrafi/

Exit mobile version