PLEASE CLICK HERE, IF YOU WANT TO READ THIS INTERVIEW IN ENGLISH LANGUAGE.
Ajo është pa diskutim një nga shqiptaret më të suksesshme në arenën ndërkombëtare.
Me prejardhje nga Qeparoi i Sarandës, por e lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Amanda Ava Koçi, e njohur artistikisht si Ava Max, u rrit nën dëshirën për t’u marrë me muzikë, ndoshta pa e menduar se një ditë do të bëhej një yll internacional.
Ishte pikërisht viti 2018 kur bota u njoh me talentin e saj, që me këngën debutuese “Sweet but Psycho”, arriti që të godasë fort në zemrat e publikut, duke arritur që kënga e saj të dëgjohet jo më pak se një miliardë në atë që njihet si platforma më e madhe e muzikës në botë, Spotify.
Pas vlerësimit ndër vite si “personazhe të vitit” artistëve shqiptarë si: Dua Lipa, Bebe Rexha e Era Istrefi, portali Telegrafi seleksionin këngëtaren me prejardhje nga Shqipëria, Ava Max si “personazhin e vitit 2020 në industrinë e muzikës” dhe për këtë ka shumë arsye.
Sukseset e Ava Max gjatë vitit që lam pas ishin të panumërta. Albumi i saj debutues “Heaven and Hell” i cili doli në shitje është albumi i tretë më i dëgjuar i vitit i një artiste femër në Spotify. Ajo gjithashtu përgjatë gjithë vitit është nominuar në ngjarjet më të mëdha muzikore si “MTV Video Music Awards”, “People’s Choice Music”, dhe “LOS 40 Music Awards”, ku në këtë të fundit u shpërblye edhe me çmim.
Ava Max vjen në një intervistë ekskluzive për Telegrafin dhe njëherësh të parën për një medium në Kosovë, duke rrëfyer për sukseset e shumta që shijoi gjatë vitit 2020, vështirësit për të arritur aty ku është si dhe planet për të vizituar trevat shqiptare në një të ardhme të afërt…
Telegrafi: Ava Max, ti je një nga shqiptaret që ka arritur majat e suksesit në muzikës. Na trego pak si po e shijon suksesit e të qenit një yll ndërkombëtar?
Ava Max: Së pari, është me të vërtet kënaqësi e jashtëzakonshme të përzgjidhem “Personazhi i vitit në muzikë’. Jam e nderuar të marrë këtë epitet, posaçërisht në një kohë te çmendur si ky vit. Mendoj se pjesa më e bukur nga njerëzit që më kanë njohur mua, muzikën time (dhe stilin tim interesant të flokëve) është se unë kam një platformë të madhe për të shpërndarë muzikën time. Ajo çka unë dua është të performoj dhe të bëj njerëzit të ndjehem mirë me muzikën time dhe duke ditur se muzika ime prek miliona njerëz gjatë ditës më bën të ndjehem jashtëzakonisht mirë.
Telegrafi: Në vitin 2020, ju keni publikuar albumin tuaj të parë debutues “Heaven & Hell”, i cili është albumi i tretë më i dëgjuar i një femre në Spotify për vitin 2020. Na fol pak më shumë rreth albumit dhe sa jeni e kënaqur që është pritur mirë nga fansat?
Ava Max: Ju premtoj se nuk do ta filloj çdo përgjigje duke thënë se ‘Kjo ishte çmenduri’! Por në fakt, kjo ishte me të vërtet një çmenduri. Jam e tejmbushur nga emocioni duke menduar për të. Kam shume dashuri për fansat e mi (Avatars-at e mi).
“Heaven & Hell” është një album rreth dualitetit. Bëhet fjalë për tensionin mes së mirës dhe të keqes, së drejtës dhe së gabuarës, mes po-së dhe jo-së. Unë mendoj se të gjithë e ndiejmë atë tension çdo ditë në mënyrën se si veprojmë, atë që themi dhe veprimet që zgjedhim – është një nga ballafaqimet më të mëdha të jetës. Më pëlqen ta ekspozoj atë përmes muzikës time – dhe ju mund ta shihni atë në shumë tituj si: “Sweet but Psycho” apo “Kings and Queens”. Unë dua që muzika ime të jetë himnike dhe fuqizuese dhe kjo është ajo çfarë ka ky album. Unë dua që njerëzit të vallëzojnë. Unë dua që njerëzit të ndjehen të fortë sikur të mund të marrin ëndrrat e tyre në dorë. Kjo është ajo që unë vendos në muzikën time.
Telegrafi: “Sweet but Psycho” ishte definitivisht kënga që ndryshoi jetën tënde. Si ndjehesh për suksesin e kësaj kënge edhe tri vite pasi pas publikimit?
Ava Max: Ende ndjehet sikur ka dalë tash edhe pse kanë kaluar tri vjet që kur është lansuar. Ndjehem sikur kënga doli dhe bota më tha: “SHKO!” Unë vërtet nuk jam ndalur që atëherë (përveç mos udhëtimit gjatë kësaj pandemie). Unë kurrë nuk kam dalë jashtë Shteteve të Bashkuara para se ta publikoja “Sweet but Psycho” dhe tani, në një kohë shumë të shkurtër, unë kam udhëtuar pothuajse në të gjithë botën.
“Sweet but Psycho” gjithmonë do të mbajë një vend shumë të rëndësishëm në zemrën time – jo vetëm për shkak të asaj që është bërë për mua, por edhe sepse kurrë nuk lodhem nga ajo. Edhe pas tri vitesh po gjej mënyra të reja për ta performuar. Gjithashtu, kur shikoj kënaqësinë në fytyrat e njerëzve kur lëshohet kënga, ajo ndjenjë nuk harrohet asnjëherë.
Telegrafi: Ne kemi lënë prapa një vit të vështirë. Si ishte viti 2020 për ty?
Ava Max: 2020 ishte padyshim një vit i vështirë për mua, por unë jam ende tepër me fat. Pavarësisht nga pandemia, unë ende mund të bëja shumë gjëra dhe të qëndroja e lidhur me botën përmes muzikës time. Unë isha në gjendje të punoja vazhdimisht, që është më shumë sesa shumë njerëz mund të thonë, kështu që ndjehem e përulur dhe me fat që jam në gjendje të vazhdoj të bëj atë që bëj unë.
Megjithatë, 2020 ishte shumë më ndryshe nga se kam pritur të ishte. Isha gati të udhëtoja, do të bëja turneun tim të parë dhe, më e rëndësishmja, do të kthehesha në Shqipëri (premtoj se do të jem atje së shpejti). Jeta ime gjatë vitit 2020 ishte kryesisht komunikim me ‘zoom’ – shumë komunikim me ‘zoom’. Të gjitha vendet ku isha gati të isha personalisht tani po flisja gjithashtu por përmes kompjuterit. Shumë ndryshe, por unë u adaptova sikur të gjithë që jemi mësuar me këtë dhe përfundimisht gjeta normalen time të re. Si të gjithë të tjerët, mezi pres deri sa të kthehemi në normalitet, por e vlerësoj shumë atë që më ka mësuar ky vit – më ka mësuar të ngadalësoj dhe të jem mirënjohëse për atë që kam. Gjithashtu më ka mësuar të bëj që të dashurit e mi të dinë se i dua dhe jam këtu për ta. Kam kaluar më shumë kohë me familjen time të ngushtë sesa kam pasur më parë dhe jam e lumtur që kam bërë këtë gjë.
Telegrafi: Në çfarë jeni duke punuar aktualisht? Cilat janë projektet e reja që presim nga ty këtë vit?
Ava Max: Më shumë muzikë. Shumë më shumë muzikë! Jam e emocionuar vetëm duke menduar për të. “Heaven & Hell” ishte vetëm fillimi. Mezi pres t’i tregoj botës atë që kam ruajtur për vitin 2021. Dua të vazhdoj t’ju befasoj dhe t’ju premtoj se muzika që do të vijë në vitin 2021 (dhe ka shumë) do ta bëjë pikërisht këtë.
Telegrafi: Kemi dëgjuar që ju kurrë nuk keni qenë në Shqipëri ose Kosovë. A keni në plan të vizitoni vendin tuaj të origjinës?
Ava Max: Po, po dhe po! Ndjehem sikur e kam thënë tani për vite me radhë dhe i kam thënë vetës hajde pra, është koha të shkoj atje! Kështu që po – premtoj se do të vij në Shqipëri. Prejardhja ime është shumë e rëndësishme për mua dhe atë se kush jam tani. Prindërit e mi u zhvendosën këtu nga Shqipëria dhe ma kanë ngulitur këtë krenari të pabesueshme për vendin tonë. Mezi pres të vij!
Telegrafi: Ti gjithmonë i ke treguar botës me krenari që je shqiptare. Si është reagimi i të tjerëve kur e thua këtë. Cili është ‘feedback’-u që e merr kur u tregon të tjerëve për rrënjët tua shqiptare?
Ava Max: Ka shumë femra të forta në muzikë që po marrin vëmendjen – të gjitha nga Shqipëria. Njerëzit vazhdojnë të pyesin, “çfarë ka në ujë atje?” hahaha, kjo më bën të buzëqesh. Në ditën dhe epokën e sotme, është e rëndësishme t’i pranoni diferencat dhe prejardhjen. Mamaja ime gjithmonë thoshte se nuk mund ta dini se ku po shkoni pa e ditur se ku keni qenë.
Telegrafi: Ka kaq shumë këngëtare shqiptare të suksesshme në industrinë e muzikës botërore si: Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha. Çfarë mendimi ke për to dhe kohë më parë Bebe ju ftoi të gjithave për një bashkëpunim. Çfarë ndodhi më pas?
Ava Max: Një bashkëpunim me të gjitha ne femrat nga Shqipëria do të ishte një ëndërr absolute. Kur Bebe Rexha më ftoi për një bashkëpunim unë isha gati të kuptoj diçka! Ne në fakt jemi bërë miq dhe kemi qëndruar afër që nga ajo ftesë. Le të shohim se çfarë na pret në të ardhmen sa i përket një kënge nga të gjitha ne – Unë ju thashë se ka shumë muzikë të re që do të vij në vitin 2021.
Telegrafi: Si është një ditë e zakonshme për Ava Max?
Ava Max: Do të doja të të thoja se ka një ditë të zakonshme për mua, por, pavarësisht se jemi akoma në pandemi, nuk ka. Dita fillon me kafe, natyrisht. Ju nuk do të donit të më shihni derisa ta kem pirë kafen time, haha. Bëhem gati dhe pastaj ose do të hidhem në studio për të punuar në këngët e mia të reja ose do të zhytem në intervista promovuese në ‘zoom’. Unë gjej kohë për veten time gjatë gjithë ditës (që kam zbuluar se është tepër e rëndësishme) për të bërë palestër ose për të ecur në mal. Nëna ime më telefonon rreth shtatë herë për t’u siguruar që po ha dhe pi ujë sa duhet. Dhe kjo është e gjitha! Dita është më dinamike kur jam duke udhëtuar nga qyteti në qytet por gjatë karantinës është më pak e çmendur.
Telegrafi: Thënia juaj e jetës?
Ava Max: Asnjëherë mos kini frikë të jeni ndryshe dhe kurrë mos kini frikë të jeni ata që jeni (edhe nëse ai përkufizim ndryshon çdo ditë).
Telegrafi: Ava Max, faleminderit shumë që ishe pjesë e kësaj interviste. Ju jeni përzgjedhur nga ne si “Personazhi i vitit në industrinë e muzikës”, për shumë suksese tuaja dhe në veçanti albumit “Heaven and Hell”. Për fund, cili do të ishte mesazhi, apo urimi juaj për të gjithë shqiptarët anë e kënd globit për Vitin e Ri 2021?
Ava Max: Thjesht dua që të gjithë (sidomos shqiptarët) të ndalen dhe të buzëqeshin. Të përqafojmë këtë vit dhe atë që na ka mësuar dhe të kujtojmë se do të kthehet në normalitet gjithçka dhe të gjithë do të jemi më të fortë se kurrë. Unë nuk mund të ju falënderoj mjaftueshëm për nderin e jashtëzakonshëm që më keni bërë duke më zgjedhur si ‘Personazhin e vitit në industrinë e muzikës’. Kjo është absolutisht e mrekullueshme për mua, unë ju premtoj se do t’ju bëj të gjithë krenarë. Ju dua! /Telegrafi/