Site icon Telegrafi

Autostrada Biennale me seli në Prizren anëtarësohet në Shoqatën Ndërkombëtare të Biennaleve

Autostrada Biennale me seli në Prizren të mërkurën ka njoftuar se është anëtarësuar në në Shoqatën Ndërkombëtare të Biennaleve (IBA), një rrjet global ky i përkushtuar për avancimin e artit bashkëkohor.

Sipas komunikatës, njoftimi për anëtarësim është kumtuar gjatë pjesëmarrjes së drejtuesve të Autostrada Biennale: Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço në Asamblenë e 11-të të Përgjithshme të IBA, të mbajtur në Lyon të Francës.

Aty theksohet se IBA ofron një platformë zhvillimore për kuratorë, artistë dhe institucione që organizojnë bienale në mbarë botën, duke promovuar bashkëpunimin dhe shkëmbimin e njohurive ndërmjet kulturave dhe konteksteve të ndryshme, raporton Telegrafi.

“Si një bienale ndërkombëtare e artit bashkëkohor që zhvillohet çdo dy vjet, Autostrada Biennale është krenare t’i bashkohet këtij rrjeti global dhe të vazhdojë të ndihmojë në ndërtimin e trashëgimisë duke promovuar kreativitetin dhe gjithpërfshirjen”, thuhet në komunikatë.

Krahas ekspozitave që realizohen çdo dy vite, në Prizren është krijuar edhe Autostrada Hangar përkatësisht Qendra për Art Bashkëkohor.

“Kjo hapësirë unike është e hapur për publikun dhe ofron ekspozita, hapësirë për prodhimin e veprave të artit dhe rezidenca për artistët. Autostrada Hangar do të bashkëpunojë me bienalet anëtare të IBA në të gjithë botën, duke ofruar programe të përbashkëta që do të forcojnë lidhjet tona ndërkombëtare dhe do të nxisin shkëmbimet artistike në nivel global”, thuhet në komunikatë.

Bashkëthemeluesit e Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, Vatra Abrashi dhe Barış Karamuço në deklaratën e përbashkët të tyre këtë anëtarësim e kanë cilësuar si moment historik.

“Anëtarësimi në Shoqatën Ndërkombëtare të Bienaleve është një moment historik për Autostrada Biennale, veçanërisht derisa shënojmë 10 vjetorin tonë. Kjo thekson angazhimin tonë për të nxitur zhvillimin e artit bashkëkohor që i kapërcen kufijtë, duke bashkuar artistët, kuratorët dhe komunitetet e ndryshme. Ne mezi presim të kontribuojmë dhe të mësojmë nga ky rrjet aktiv dhe global, duke forcuar zërin e artit në adresimin e ndryshimeve sociale dhe kulturore”.

Në të njëjtën kohë është shprehur mirënjohja për ekipin e IBA-së dhe atë të Lyon Biennale për mbështetjen gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, raporton Telegrafi.

“Ky anëtarësim shënon një kapitull të ri për Autostrada Biennale, derisa vazhdojmë të krijojmë një platformë për artin bashkëkohor që rezonon si në nivel lokal ashtu edhe ndërkombëtar”, përfundon komunikata e Autostrada Biennale. /Telegrafi/

Exit mobile version