Autostrada Biennale të premten pasdite ka shpalosur konceptin kuratorial të edicionit të pestë të kësaj ngjarjeje të artit bashkëkohor, kuruar nga Erzen Shkololli, me titullin “Unfolding Currents: The Pulse of Time” (“Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës”).
Sipas njoftimit, edicioni i pestë i Autostrada Biennale do të mbahet nga data 5 korrik deri më 5 tetor 2025.
“Tema e këtij edicioni vë theksin te ndërthurja dinamike mes artistëve, veprave të artit, audiencës dhe kontekstit të pasur historik të Prizrenit. Si qytet me shtresa të shumta arkitekturore dhe kulturore, Prizreni shërben si visar i gjallë i trashëgimisë së Kosovës”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Në konceptin kuratorial thuhet se për përvjetorin e saj të dhjetë, Autostrada Biennale do të ndjekë një qasje të përshtatur ndaj mjedisit, duke ftuar artistë të brezave dhe vendndodhjeve të ndryshme që të angazhohen thelbësisht me disa nga monumentet kulturore të qytetit.
“Përmes ripërfytyrimit të veprave ekzistuese dhe komisionimit të projekteve të reja, ky edicion do të nxitë dialog të gjallë në të tashmen duke reflektuar në mënyre kritike për të kaluarën”.
Sipas njoftimit, “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës” mishëron frymën e këtij dialogu.
“Fraza “Rrymat që Shpalosen” sjell ndër mend evoluimin e vazhdueshëm të narrativave historike dhe artistike, ndërsa “Pulsi i Kohës” ngërthen natyrën ritmike dhe të pareshtur të këtyre shndërrimeve. Titulli nxjerr në pah angazhimin aktiv te bienales me çastin shumështresësh në të cilin jetojmë”, shkruan aty, raporton Telegrafi.
Konceptin e plotë kuratorial të edicionit të pestë të Autostrada Biennale mund ta lexoni këtu. /Telegrafi/