Site icon Telegrafi

Autoritetet e Mamushës ankohen në MASHTI për çmimet e larta të librave shkollorë në gjuhën turke

Autoritetet komunale të Mamushës përmes një shkrese adresuar te Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kanë kërkuar që nxënësit e komunitetit turk të mos diskriminohen lidhur me subvencionet për blerjen e teksteve shkollore.

Drejtori i Arsimit në këtë komunë, Tyrker Mazrek përmes kryetarit të Komunës, Abdylhadi Krasniç ka adresuar një kërkesë te ministrja Arbërie Nagavci për gjetjen e zgjidhjes lidhur me këtë çështje, raporton Telegrafi.

“Komuna e Mamushës, e cila me shumicën e popullsisë i përket komunitetit turk ka vështirësi në sigurimin e librave në gjuhën turke. Në treg nuk janë të përfshira të gjitha librat në gjuhën turke, ndërsa librat ekzistues janë me çmime shumë më të larta sesa shuma e subvencionuar e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore. Pra, shumë e subvencionimit për tekste shkollore nuk arrin në sigurimin e të gjitha librave”, ka shkruar ai në kërkesë.

Tutje ka theksuar se çmimet e librave kanë dallime dhe se kjo nënkupton diskriminim për pjesëtarët e komunitetit turk.

“Prandaj kërkojmë nga ana juaj që të keni parasysh këtë ngjarje që të mos ketë dallime në treg tek çmimet e librave ndërmjet gjuhës turke dhe gjuhës shqipe. Derisa paralelja shqiptare nuk ka problem me çmimin e librave për të siguruar librat me shumën e subvencionuar nga MASHT, ndërsa paralelja turke ka problem, kjo do të thotë diskriminim për ne si komunitet turk që të mos arrijmë të sigurojmë librat me shumën e subvencionuar”, është shprehur Mazrek.

Dërgimin e kësaj kërkese e ka bërë publike kryetari i Komunës së Mamushës, Abdylhadi Krasniç, i cili ka theksuar se kjo shkresë zyrtare është dërguar për shkak të problemeve që po hasin nxënësit e komunitetit turk të shkollës fillore “Anadolu” në Mamushë, por edhe ata të shkollave tjera, raporton Telegrafi.

“Shpresojmë që ky problem me të cilin po ballafaqohen nxënësit dhe prindërit e komunitetit turk të zgjidhet sa më shpejtë nga Ministria dhe institucionet përkatëse”, ka thënë Krasniç.

Ky problem ishte adresuar edhe gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës nga deputeti i KDTP-së, Enis Kervan, i cili pat vënë në pah se çmimet e teksteve shkollore në gjuhët e komuniteteve kushtojnë më shtrenjtë.

Ministrja Nagavci ishte përgjigjur se institucionet do të marrin veprime në këtë drejtim. “Duhet të kujdesemi qe komunitetet nuk diskriminohen në bazë të çmimeve. Kemi identifikuar shkelje e di që në disa raste janë shqiptuar dënimet për disa librari dhe do të vazhdojmë të marrim veprime”, pat thënë ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version