Google dhe shumë prodhues të automjeteve, janë duke punuar në zhvillimin e teknologjisë për automjetet autonome, ndërsa parashikohet që makinat e tilla të dalin në rrugë kah viti 2020.
Mirëpo, gjigantët e industrisë së automobilizmit mund t’i befasojë kompania e vogël amerikane, Cruise, e cila paralajmëroi që ka ndërtuar sistem të vetin për drejtim autonom, i cili mund të jetë në dispozicion që në vitin 2015.
Cruise ka angazhuar inxhinierë të robotikës nga Instituti i Teknologjisë në Massachusetts dhe e veçanta e kësaj kompanie është se sistemin e vet mund ta instalojë, në cilindo nga modelet e makinave.
Sistemi RP-1 është ende në fazën prototip dhe mundëson vozitje të pjesshme autonome. Përbëhet nga tri komponentë kryesorë: sensorë, kamera dhe radar, të cilët janë të vendosur në kulmin e automjetit. Pastaj, aty gjendet hardueri për kontrollin e timonit, pedalet e gazit dhe frenimit, dhe njësia qendrore kompjuterike, e cila është ‘truri’ i gjithë sistemit.
Nga Cruise paralajmërojnë se ky sistem do të dalë në treg në vitin 2015 me çmim fillestar prej 7.000 eurosh. /Telegrafi/