Prof. ass. Ardita A. Devolli, dr. sci.
Logopede
Tel. 044 123 449
Në mesin e 10.000 fëmijëve, 4 deri 5 fëmijë atakohen nga autizmi, dhe atë më shumë meshkuj se sa femra. Rastet e autizmit tek femrat janë më të rënda. Disa fëmijë reflektojnë vetëm sjellje autistike. Autizmi shpesh ndërlidhet me retardimin mental.
Çrregullimet e komunikimit janë karakteristika të rëndësishme të autizmit. Në përgjithësi, mungesa e interesimit ndaj njerëzve dhe komunikimit janë karakteristika dominuese.
Sa i përket faktorëve etiologjik, autorët e ndryshëm kanë dhënë teori të ndryshme të cilat ende plotësisht nuk janë të përkrahura. Sipas tyre etiologjia e autizmit është: e panjohur; e ndikuar nga faktorët gjenetik; me bazë neurologjike.
Karakteristikat e autizmit janë:
– paraqitja e shenjave të para autistike përgjatë foshnjërisë apo fëmijërisë;
– komunikimi pa ndjenja apo emocione me njerëzit tjerë;
– mosinteresimi për ndjenjat e të tjerëve;
– mosinteresimi për zërin e nënës apo të kujdestares;
– kërkimi i shkallës jashtëzakonisht të lartë të komoditetit gjatë sëmurjes;
– mungesa e lojës apo loja bizare;
– mosinteresimi për shokët dhe për kontakte njerëzore;
– mungesa e interesimit për lojë imagjinare;
– lëvizjet stereotipie të trupit (p.sh. përkundja e pafund);
– preokupimi me pjesët e objekteve apo të trupit;
– insistimi në rregullin e njëjtë të jetës tërë kohën;
– këmbëngulja në një apo dy aktivitete;
– parapëlqimi i të mbeturit vetëm;
– parapëlqimi i zërit mekanik (i pa interesuar për zërin njerëzor);
– ngurrimi nga përqafimi, shtrëngimi apo prekja;
– prania e sjelljeve vet-lënduese, tek disa fëmijë;
– prezenca e talenteve të jashtëzakonshme në matematikë dhe muzikë, tek disa fëmijë.
Çrregullimet e të komunikuarit që ndërlidhen me autizmin janë:
● mosinteresimi për komunikim;
● mungesa apo varfëria e përgjigjeve përgjatë të folurit;
● përvetësimi më i vonshëm i tingujve foljorë;
● disa çrregullime të artikulimit;
● përgjigje më të mira përgjatë tingujve të pastër se sa stimuluesve të folurit;
● mosinteresimi për pyetjet e parashtruara apo për tregimin e gjërave të emërtuara;
● të folurit stereotip apo të pakuptimtë;
● përvetësimi i ngadalshëm i të folurit;
● mësimi më i lehtë i emrave të objekteve se sa i fjalëve që shprehin emocione apo ndjenja njerëzore;
● mësimi më i lehtë dhe me i shpejtë i fjalëve konkret e se sa atyre abstrakte, ndonëse ndodh që disa autist t’i përvetësojnë më shpejtë fjalët abstrakte;
● të kuptuarit e ngushtë të fjalës (mungesë e të kuptuarit të gjeneralizuar);
● mungesa e lidhjes së koncepteve (p.sh. paaftësia e lidhjes së fjalëve “gjilpëra” dhe “peri”);
● humbja e përemrave;
● prodhimi i fjalëve të thjeshta dhe të shkurta;
● strukturat e gabuara të sintaksës, duke përfshirë radhitjen e gabuar të fjalëve;
● mungesa e morfemave gramatikore;
● gjuha e papërshtatshme;
● problemet pragmatike të gjuhës, duke përfshirë mungesën e kontaktit përmes syve, lëvizjeve të kokës si dhe e prezencën e vërtitjeve përgjatë konverzimit;
● vështirësitë në të kuptuarit e gjuhës;
● përsëritjet e pakuptimta të folurit e dëgjuar;
● të folurit me intensitet të lartë dhe monoton;
● eholalia (përsëritja e fjalëve të dëgjuara nga të tjerët).
Objektivat e vlerësimit nga ana e logopedit kanë të bëjnë me vlerësimin e: çrregullimeve të komunikimit të ndërlidhura me autizmin; rrethit familjar me qëllim të përkrahjes së komunikimit; përparësive dhe dobësive të fëmijës.
Mënyrat e trajtimit të personave me autizëm janë:
– përdorimi i objekteve e jo i vizatimeve, si material stimulues;
– mësimi i përmbajtjeve të ndryshme gjuhësore;
– mësimi në mjedise të ndryshme;
– reduktimi i eholalisë, apo i përsëritjes së fjalëve të dëgjuara nga të tjerët;
– dhënia e trajtimit të drejtpërdrejt dhe intensiv;
– përqendrimi i vëmendjes në gjeneralisimë;
– mësimi i komunikimit joverbal, nëse është e domosdoshme;
– bashkëpunimi i ngushtë me ekspertët tjerë dhe me anëtarët e familjes.
Prognoza e rehabilitimit të personave me autizëm varet nga llojllojshmëria e sjelljeve autistike. Megjithatë, shumica e fëmijëve me autizëm përfiton nga rehabilitimi i tillë. /Telegrafi/