Telegrafi

Aung San Suu Kyi dënohet me katër vite burgim, ish-liderja e Mianmarit rrezikon të vuaj dënimin me burgim të përjetshëm

Ish-liderja e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, është dënuar me katër vite burgim, e pas një sërë gjykimesh dënimi i saj mund të ashpërsohet deri në burgim të përjetshëm.

Aung San Suu Kyi u shpall fajtore për shkeljen e masave anti-COVID, të vëna bazuar në ligjin e katastrofave natyrale.

Mbi Suu Kyi rëndojnë 11 pika të aktakuzës, që shumë po i përjetojnë si të padrejta, transmeton Telegrafi.

Suu Kyi e cila ishte në arrest shtëpiak që nga grusht-shteti që ndodhi në shkurt të këtij viti dhe e rrëzoi nga pushteti qeverinë e saj civile, ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të.

Siç raportojnë mediat botërore, tani për tani nuk dihet nëse Suu Kyi do të dërgohet në burg. E bashkëpunëtori i saj, njëherit ish-presidenti Win Myint, gjithashtu është dënuar sot me katër vite burgim nën akuzat e njëjta.

Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, i ka quajtur akuzat “të rreme”, duke theksuar se ky “është rasti më i ri që ushtria po tenton të eliminojë tërë opozitën dhe të ngufat lirinë e Mianmarit”. /Telegrafi/