Qindra mijëra futbollistë nga Kosova janë nëpër grupmoshat e klubeve të njohura evropiane.
Njëri nga ta është edhe Blin Sherifi nga Gjilani, i cili aktualisht është pjesë e grupmoshave të skuadrës nga elita e futbollit gjerman Augsburg.
11-vjeçari vlerësohet si njëri nga lojtarët më të talentuar të akademisë së klubit, derisa Augsburgu po e trajton në mënyrën më të mirë.
Përderisa jemi duke jetuar në kohë pandemie, stërvitjet e gjeneratave të reja janë të ndaluara në Gjermani.
E për këtë ka menduar klubi gjerman Augsburg, që ka marrë në studio Blin Sherifin dhe legjendën e klubit Tobias Werner për të shpërndarë një video duke iu treguar futbollistëve të klubit se çfarë stërvitje të praktikojnë në shtëpitë e tyre.
Sherifi dhe Werner shfaqen në ambientet e klubit duke kryer disa stërvitje, të cilat të njëjtën kohë i kanë bërë edhe lojtarët tjerë të skuadrës gjermane nga shtëpitë e tyre.
Gjilanasi i talentuar luan në mesfushë ku preferon dy pozitat 8 dhe 10.
Blini i është bashkuar Augsburgut nga skuadra më pak e njohur SVV Ulm, derisa për të interesim ka shfaqur edhe gjiganti gjerman Bayern Munich, por edhe Stuttgart dhe Hoffenheim.
Talenti 11-vjeçar është zgjedhur disa herë si më i miri i klubit, derisa ai nuk mendon për momentin largimin nga Augsburgu.
Një lojtar tejet i talentuar është duke u zhvilluar në Gjermani, teksa një ditë shpresojmë që Blinin ta shohim në Bundesliga, por edhe me fanellën e Përfaqësueses së Kosovës.
Vlen të theksohet se Blini është pjesë e Augsburg U-12, ndërsa vëllai i tij më i madh Dion Sherifi luan për Augsburg U-16 dhe që të dy shihen si talent të mëdhenj. /Telegrafi/