Telegrafi

Aubameyang, Lemina dhe Meye kanë probleme me zemrën – nuk mund të luajnë me Gabonin kundër Ganës

Tre yjet e kombëtares së futbollit të Gabonit nuk do të luajnë në Kupën e Kombeve të Afrikës kundër Ganës për shkak të problemeve me zemrën.

Bëhet fjalë për emra si Pierre-Emerick Aubameyang, Axel Meye dhe Maria Lemina. Të tre lojtarët kanë problem me zemrën pas shërimit nga coronavirusi.

Në një konferencë për shtyp ditën e djeshme, u bë e ditur se Aubameyang dhe Lemina janë negativë me coronavirus dhe gati për të luajtur, megjithatë para ndeshjes me Ganën, Federata e Futbollit të Gabonit njoftoi dhe publikoi një lajm tronditës.

“Sipas komisionit mjekësor të CAF, lojtarët Pierre-Emerick Aubameyang, Axel Meye dhe Mario Lemina, të cilët sapo janë rikuperuar nga coronavirusi, nuk mund të luajnë kundër Ganës për shkak të problemeve në zemër. CAF nuk donte të rrezikonte”, thuhet në komunikatën e federatës.

 

Aubameyang, ylli më i madh në historinë e futbollit në Gabon, mungoi gjithashtu në raundin e parë të Kupës së Kombeve Afrikane sepse doli pozitiv me coronavirus.

Që atëherë ai është shëruar, por është diagnostikuar me probleme në zemër. /Telegrafi/