Telegrafi

Atletico nuk i ndryshon gjërat në Madrid, City lë takim me Realin në gjysmëfinale

(Foto: Twitter/Manchester City)

Është mbyllur pa gola (0-0) në Estadio Wanda Metropolitano, ndeshja kthyese çerekfinale e Ligës së Kampionëve në mes të Atletico Madridit dhe Manchester Cityt, që do të thotë se në gjysmëfinale kualifikohet ekipi nga Liga Premier.

Në sfidën e parë të zhvilluar në Etihad Stadium, Citizens fituan me rezultat 1-0 dhe pas barazimit në kryeqytetin spanjoll, ekipi anglez kualifikohet në fazën tjetër.

Pas një harkimi nga këndi të Kevin De Bruyne, John Stones prodhoi rrezikun e parë të vërtetë pas goditjes me kokë.

Ilkay Gundogan e goditi shtyllën pas gjysmë ore lojë, ndërsa në një tjetër goditje, topi iu bllokua.

(Foto: Twitter/Atletico de Madrid)

Asnjëra nga skuadrat nuk arriti të shënojë në 45 minutat e para, ashtu që shkuan në pushim me rrjetat e paprekura.

Los Rojiblancos e nisën më mirë fraksionin e dytë duke rrezikuar përmes Antoine Griezmann dhe më vonë Rodrigo de Paul goditi jashtë portës.

(Foto: Twitter/Atletico de Madrid)

Raste të njëpasnjëshme të vendasve u panë kah fundi i takimit, mirëpo duke mos arritur t’i konkretizojnë.

Manchester City në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve do të luajë përballë Real Madridit që eliminoi skuadrën e Chelseat. /Telegrafi/