Telegrafi

Atletico marshon drejt titullit, fiton ndaj Sociedadit

(Foto: Twitter/Atletico de Madrid)

Atletico Madridi ka regjistruar fitore prej 2-1 përballë Real Sociedadit për të arkëtuar pikë të plota në garën për titullin e La Ligas.

Në ndeshjen e zhvilluar në Estadio Wanda Metropolitano, Los Rojiblancos e kryen punën e nevojshme për të rrugëtuar drejt shpalljes kampion të Spanjës.

Vendasit e nisën sfidën në kërkim të golit dhe e zhbllokuan rezultatin në minutën e 16-të përmes Yannick Carrasco, i cili u asistua nga Marcos Llorente.

(Foto: Twitter/Atletico de Madrid)

Shumë shpejt, nikoqirët e dyfishuan epërsinë me golin e Angel Correa (28’) që shënoi falë asistimit nga Luis Suarez.

Në pjesën e dytë, mysafirët e bënë më dramatik fundit duke e ngushtuar rezultatin përmes Igor Zubeldia. Megjithatë, vendasit nuk lejuan befasi deri në fund dhe e ruajtën avantazhin.

Standings provided by SofaScore LiveScore

Pas kësaj fitoreje, Atletico Madridi ka katër pikë më shumë se Barcelona që ndodhet në vend të dytë dhe pesë më shumë se Real Madridi (që nuk e ka zhvilluar ndeshjen e kësaj xhiroje). Ndërsa kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro (gjashtë pikë) deri në fund.

Në ndërkohë, Real Sociedadi do të mbetet në zonën e Ligës së Evropës edhe pas zhvillimit të sfidave tjera nga skuadrat që ndodhen poshtë tyre. /Telegrafi/