Ylli i ardhshëm i Real Madridit, Endrick ka zbuluar se prindërit e tij ndonjëherë kanë vuajtur nga uria vetëm për t’i siguruar atij një jetesë më të mirë.
Endrick tani mund të themi lirshëm që konsiderohet si njëri nga futbollistët më premtues në botë dhe ani pse po e shijon titullin e fituar me Palmeiras, fëmijëria e tij nuk ka qenë aspak e lehtë.
Në një intervistë për mediumin anglez The Guardian, ai ka pranuar se është rritur në varfëri dhe se prindërit e tij kanë vuajtur nga uria vetëm për t’i siguruar atij ushqim dhe një jetesë më të mirë.
“Unë kurrë nuk kam qenë i uritur, por prindërit e mi po. Ata vuajtën nga uria për mua. Ata më kanë dhënë shumë forcë sepse unë nuk doja që t’i shihja në atë gjendje përsëri. Unë nuk dëshiroja që t’i shihja ata në nevojë, të më japin mua ushqim dhe ata të mbesin pa të”, ka thënë fillimisht Endrick.
Sulmuesi foli edhe për sjelljen e tij e cila është konsideruar si e ‘ftohtë’ nga shumë persona.
“Unë isha i zemëruar në një kohë për shkak se doja t’u dëshmoja të gjithëve se kush jam. U mundova të përballojë kritikat dhe të tregoj se kush jam. Por pastaj kam kuptuar se nuk kam nevojë për ta bërë këtë, nuk kisha nevojë të shfaqja të kundërtën. Unë jam Endrick. Nëse ata dëshirojnë të më sulmojnë mua, unë nuk do ta shoh. Po, është e vështirë, por nuk ka rëndësi më për mua. Kritikat nuk më bëjnë më dëm mua”, është shprehur ylli brazilian.
Të interesuara për shërbimet e Endrick ishin disa klube të mëdha evropiane si Chelsea dhe Barcelona, por në fund ai vendosi që të nënshkruajë për Real Madridin.
Los Blancos e fituan ‘betejën’ për nënshkrimin e tij dhe kështu kompletuan transferimin e tij për një shifër rekord prej 60 milionë eurosh.
Palmeiras nuk do të zhvillojë më ndonjë ndeshje deri më 21 janar të vitit të ardhshëm andaj Endrick nuk do ta shohim në aksion deri atëherë. 16-vjeçari edhe zyrtarisht do të vesh fanellën e Realit në muajin qershor./Telegrafi/