Site icon Telegrafi

“Ata nuk kanë as ushqim për familje”, minatorët kundër nisjes së punës pa ekzekutimin e pagave

Fotografi ilustruese e minatorëve të Trepçës

Sot është mbajtur takimi i minatorëve me sindikatën e pavarur të minatorëve. Takimi zgjati afër tri orë dhe minatorët thanë se janë kundër nisjes së punës pa u ekzekutuar pagat.

Anëtari i Kryesisë së Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, Fevzi Ademi, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se minatorët kanë kërkuar që në takim të vijnë bordi dhe menaxhmenti. Por që të njëjtit, siç u shpreh ai, sot nuk kishin kohë për takim, ndërkaq ky takim u është premtuar për të enjten, shkruan Telegrafi.

“Kryesuesi i bordit menaxhues me anëtarët e bordit kanë thënë se nuk kemi kohë sot, por nesër do të vijmë në orën 09:00. Ka ardh kryeshefi, por nuk ka ndryshuar asgjë nga gjendja, kërkesa është një dhe e vetme prej 10 korrikut që është realizimi i pagave për muajin qershor”, ka thënë Ademi.

Sipas tij, minatorët po hyjnë në muajin e tretë që nuk e kanë marrë pagën dhe shujtën ushqimore.

“Minatorët po rrezikohen në të gjitha aspektet, edhe në aspektin financiar, por dhe në atë psikologjik sepse kjo është edhe dhunë psikologjike. Nuk po kanë informacione se nga të lëvizin. Kjo është shqetësuese sepse gjendja është e jashtëzakonshme, në momentin që bëhen dy muaj dhe nuk ka pagë nuk ka logjikë”, ka thënë tutje ai.

Ai është shprehur se prej 22 ditësh është proklamuar se është dërguar një draft-plan për ta subvencionuar Qeveria, por sipas tij, kjo është një neglizhencë sepse minatorët janë në gjendje më të rëndë se sa që e mendon Qeveria.

“Ata sikur të kishin menduar, akterët kryesor siç janë bordi dhe menaxhmenti, do t’i zgjidhnim problemet më shpejt”, ka shtuar Ademi.

Ai shtoi tutje se në mungesë të pagave, minatorët nuk kanë as ushqim për familje, transmeton Telegrafi.

“Gjendja është shumë e vështirë, kemi ankesa që njerëzit nuk kanë edhe gjënë më elementare, bukën e gojës. Kaq po kërkon minatori, ekzekutimin e pagës dhe asgjë tjetër”, ka theksuar ai.

Ndryshe, ai ka treguar se minatorët çdo ditë dalin në punë por nuk punojnë e kjo si shenjë revolte ndaj mos-ekzekutimit të pagave. /Telegrafi/

Exit mobile version