Telegrafi

Aston Martin në përgatitje të bolidëve të Red Bullit

(Foto: Bryn Lennon/Getty Images/Guliver)

Fabrika e Aston Martin Red Bull në Milton Keynes rihapi dyert e saj për rinisjen e punës për Botërorin e Formula 1 për herë të parë në dy muaj.

Gjatë kësaj periudhe, kjo fabrikë po punonte për prodhimin e ventilatorëve BlueSky si pjesë e “Projektit Pitlane” në mbështetje të Shërbimit shëndetësor Publik në Britani në luftën kundër Covid-19.

Bashkëpunimi mes shtatë skuadrave të Formula 1 me bazë në Britani, dizajnerët dhe inxhinierët me kolegët e tyre të Renault bëri që të prodhohen ventilatorë BlueSky për një emergjencë afatshkurtër të ventilimit.

(Foto: Getty Images/Guliver)

Gjithsesi këto lloj ventilatorësh nuk do të shkojnë dëm teksa ky dizajn inovativ mund të përdoret edhe në emergjenca te tjera shëndetësore, transmeton Top Channel.

Për sa i përket Formula 1, tashmë fabrika do të nisë punën në mënyrë që Red Bull t’i ofrojë makinën më të mirë të mundshme dy pilotëve të saj Max Verstappen dhe Albon për këtë kampionat.

Gara e Formula 1 do të nisë në fillim të korrikut me dy gara të njëpasnjëshme që do të mbahen në Austri.

(Foto: Clive Mason/Getty Images/Guliver)