Marco Asensio iu bashkua këtë verë gjigantit francez Paris Saint Germain pas largimit nga Real Madridi si futbollist i lirë.
Sulmuesi anësor ka zbuluar edhe arsyen pse vendosi të transferohet në Ligue 1, përkundër që ofertat nuk munguar nga La Liga dhe Liga Premier e Anglisë.
Asensio ka thënë se projekti i klubit i ka pëlqyer menjëherë dhe se në Paris është për të fituar trofe të rëndësishëm.
“Bisedimet e para me PSG ishin shumë pozitive, më shpjeguan të gjithë projektin. Dhe të them të drejtën aty u tundova pasi dallova të gjithë ambicien e parizienëve, është një klub shumë interesant dhe kjo është arsyeja pse tani jam pjesë e tyre”.
“Përshtypjet e para mbi PSG janë shumë pozitive, të gjithë më kanë pritur shumë mirë duke nisur nga lojtarët deri te stafi teknik. Mendoj se ky është klubi i duhur për të vazhduar me trofetë dhe fitoret.
Ai tutje ka zbuluar se kishte pyetur ish-bashkëlojtarët e tij francezë te Real Madridi rreth Ligue 1 dhe të gjithë kanë lavdëruar kampionatin elitar francez.
“Pyeta disa prej shokëve si Benzema, Camavinga dhe Tchouameni për Ligue 1 dhe të gjithë më thanë fjalë të mira. Kampionati francez është shumë fizik dhe gjithashtu ka lojtarë teknikë”.
“Është një klub i madh, një nga më të mëdhenjtë në Evropë. Luis Enriquen e njoh, është trajneri me të cilin isha në Botëror me Spanjën. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe shpresoj të arrijmë suksese te PSG”, tha Asensio. /Telegrafi/