Peja është duke u stolisur nga grafite të shumta nga artistë vendorë dhe të huaj, të cilët me shumëllojshëri të ngjyrave po i japin dimensione tjera këtij qyteti, në kuadër të festivalit “Rrugë Fest”.
I tillë është edhe artisti me origjinë braziliane, por që jeton në Angli, Liam Bononi, i cili ka vendosur që talentin e tij për grafite ta shfaqë edhe për publikun e Kosovës.
Për Telegrafin, artisti i grafiteve Bononi, ka thënë se me pikturën të cilën është duke e krijuar në muret e tunelit të një ndërtese në qendër të Pejës, është munduar të paraqesë një reflektim, me vizatimin e një gruaje cila të jep dy këndvështrime të ndryshme.
“Merrem me portrete të përziera me fragmente dhe teksturë të thyer. Unë përpiqem të përfshijë transformimin psikologjik të qenies njerëzore dhe përmes kësaj jam munduar të paraqes një reflektim. Unë e kam bërë një portet femre me sy të mbyllur. Ndërsa përballë murit ajo i ka sytë e hapur”, është shprehur Bononi.
Punimin e këtij murali Bononi ka thënë për Telegrafin se do finalizohet të dielën, kur edhe pritet të përfundojë edhe festivali.
“Unë punoj portrete me fragmente, dhe një nga portretet paraqet një pasqyrë të thyer, që është tematika e festivalit këtë vit. Ky festival ofron tre vende të operimit dhe unë e kam zgjedhur këtë pjesë këtu, kjo pikturë pres që ta përfundoj të dielën”, ka përfunduar ai.
Gjithashtu përveç Bononit në këtë festival janë duke marrë pjesë edhe artistë vendor nga Akademia Evulocion si dhe ata ndërkombëtarë, ata janë të shpërndarë në gjithsej katër punëtori.