Telegrafi

Artisti boshnjak Bozho Vreqo po vjen në Kosovë për të performuar në Prishtina Queer Festival

Bozho Vreqo po vjen në Kosovë për ta hapur Prishtina Queer Festival, përmes të cilit do të performojë për herë të parë në Prishtinë.

Festivali Queer i Prishtinës do të hapet me një performancë nga ai në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë më 6 shtator nga ora 20:00, transmeton Telegrafi.

Në një komunikatë nga Prishtina Queer Festival, përshkruhet puna e këngëtarit, i cili në punën e tij kombinon elemente të ndryshme për të ngjallur emocion te publiku.

“Vreqo është artist performues, këngëtar dhe tekstshkrues i muzikës “sevdah” nga Bosnja e Hercegovina. Kombinimi i elementeve fetare, boshnjake dhe shpirtërore janë lulet e një performance që të ngjall çdo emocion duke personifikuar dashurinë e një engjulli. Performancat e Vreqos janë magjike dhe përrallore, të cilat të ftojnë në një udhëtim shpirtëror me energji të pafundme për vallëzim”, thuhet në komunikatë.

Ai ka realizuar shtatë albume. Dokumentari rreth jetës së Vreqo që titullohet “Maldita”, që është prodhuar në Spanjë, fitoi çmimin prestigjioz “Goya” si filmi më i mirë dokumentar i festivalit. Bozho Vreqo momentalisht po zhvillon turnetë e tij në Evropë, Kanada, ShBA dhe në rajon.

Festivali Queer i Prishtinës këtë vit e organizon edicionin e dytë të festivalit në datat 6, 7 dhe 8 shtator. Përmes këtij festivali synohet promovimi i artit dhe kulturës LGBTIQ+ në Kosovë.

“Edicioni i dytë përfshin tre ditë me përplot aktivitete. Nata hapëse nis me koncertin magjik nga Bozho Vreqo dhe vazhdon me performanca të tjera surprizë. Dita e dytë e festivalit përfshin një punëtori, shfaqjen e filmave lokalë queer, publikimin e përmbledhjes së historive të personave LGBTIQ+ dhe një ndejë me artistë nga Berlini. Ndërsa, dita e tretë e festivalit përfshin po ashtu punëtori, shfaqjen e filmave ndërkombëtarë në bashkëpunim me festivalin e filmit Queer Lisboa nga Portugalia dhe një nejë në rrugët e Prishtinës me artistë lokalë dhe nga diaspora”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/