Të premten rreth orës 19:00 është hapur ekspozita “Heavy Metals – The Stones of Mitrovica” në hapësirat e Muzeut të Mitrovicës.
Autorë të kësaj ekspozite ishin artistët gjerman, Philine Rinnert dhe Daniel Heer, transmeton Telegrafi.
Në hapjen e kësaj ekspozite, autorja Philine Rinnert është shprehur se kur kishte ardhur në Kosovë i’u kishte rekomanduar që të vizitojë Mitrovicën.
“Për herë të parë në Kosovë kam qenë vitin e kaluar dhe kam qenë në malet e Kosovës. Në diskutime të ndryshme kam dëgjuar që Kosova është e pasur me gur dhe minerale dhe një rekomandim që kam marrë nga miqtë e mi është të vija në Mitrovicë sepse është një vend që ka shumë pasuri nëntokësore”, ka thënë Rinnert.
Ajo ka thënë se në nëntorin e kaluar kishte ardhur në Mitrovicë dhe kishte krijuar idenë se çfarë do të realizonin.
“Fati ynë ka qenë se në nëntorin e kaluar unë erdha prapë dhe e krijova idenë se çfarë do të bëjmë në realizimin e këtij qëllimi”, ka shtuar artistja gjermane.
Rinnert ka theksuar se ideja e kësaj ekspozite është që të mendojmë më në thellësi për rëndësinë që kanë gurët dhe mineralet e qytetit.
Ndërsa, drejtoresha e Muzeut të Mitrovicës, Nora Prekazi – Hoti ka thënë se është privilegj që të kenë mundësinë ta hapin këtë ekspozitë sepse sipas saj, artistët gjerman kanë sjellur një perspekivë të re në rajonin e Mitrovicës.
“Kur Philine solli idenë për të punuar dhe ri-kërkuar për mineralet dhe gurët e Mitrovicës në perspektivën e erës, madhësisë, ishte shumë poetike dhe na pëlqej shumë ideja. Ishte një privilegj i madh që të punojmë me të dhe me Danielin. Faleminderit që të dyve, ju sollët shumë energji të mirë në muzeun tonë dhe një perspektivë shumë interesante për diçka që ne jemi rritur së bashku”, ka thënë Prekazi – Hoti.
Drejtoresha e muzeut ka falënderuar artistët, stafin e muzeut dhe të qendrës kulturore “7 arte” që ka ndihmuar në realizimin e kësaj ekspozite.
Derisa drejtori i qendrës kulturore “7 arte”, Lulzim Hoti, ka thënë se kjo ekspozitë është një identitet për qytetin e Mitrovicës.
“Gurët e Mitrovicës shpesh janë përmendur, duke llogaritur ish-presidentin Rugova që ka shpërndarë gurët e Mitrovicës. Por edhe historikisht janë shpërndarë gurë nga vetë ndërmarrja “Trepça” që ka bërë eksport të produkteve të nëntokës sonë”, ka thënë Hoti.
Ai është shprehur se gurët janë pjesë e zakonshme që i shohim në çdo cep, qoftë edhe si dekore në shtëpitë tona.
Drejtori i qendrës kulturore “7 arte” është shprehur se ishte kënaqësi të punonte me artistët gjerman, derisa ka falënderuar të gjithë stafin që ka kontribuuar në realizimin e kësaj ekspozite. /Telegrafi/