Site icon Telegrafi

Arti i fjalës shqipe është një dhe i pandarë

Intervistoi: Vera Pelaj

Profesor, letërsia si art i fjalës është një fushë shumë e gjerë dhe komplekse. Në veprat tuaja “Çështje teorike të letërsisë”, “Letërsia si art dhe komunikim poetik” dhe “Letërsia për fëmijë si art i fjalës”, ndriçuar shumë dukuri e veçanti të saj. Kësaj radhe po veçoj vetëm një dukuri: Çfarë ndikon që të merreni me studimin e letërsisë, përkatësisht me krijimtarinë e një shkrimtari ose me një vepër letrare?
Të përgjigjesh në këtë pyetje nuk është punë e lehtë. Megjithatë, po i them disa fjalë në mënyrë përmbledhëse. Çështja, që më nxit të merrem me letërsi, është fakti se letërsia është art i fjalës dhe si e tillë mundëson, jo vetëm ta njohësh botën dhe jetën e njeriut në mënyrë të thellë, po ta njohësh edhe vetveten dhe të pasurohesh shpirtërisht përmes saj. Vepra letrare si shtjellim gjuhësor shprehës, nga struktura e së cilës dalin kumtime poetike të shumta e të ndryshme, të ofron një botë thellësisht subjektive, të përftuar përmes tekstit dhe mesazheve poetike, që asnjë formë tjetër nuk është e aftë dhe në gjendje ta bëjë në këtë mënyrë. Pra, vepra letrare si tekst poetik, shqipton një realitet sa të veçantë aq dhe të pasur, shumëfish më të pasur sesa realiteti jetësor të cilin e përjetojmë në jetën e përditshme. Merrem me krijimtarinë e disa shkrimtarëve për arsye se secila në mënyrë të mëvetësishme shqipton botën e autorit dhe dukuritë e botës në përgjithësi, që ndikojnë në forma të ndryshme në botën e lexuesit, sidomos të studiuesit të saj. Duke u marrë me veprat e të njëjtit shkrimtar, e vëren botën e përftuar përmes strukturës gjuhësore artistike në formën e mozaikut. Edhe pse e përftuar nga i njëjti autor, bota shqiptohet nëpërmjet varianteve të botës së brendshme, që asnjëherë nuk përligjet në të njëjtën mënyrë. Me një fjalë, duke u marrë në mënyrë të imtë dhe duke i studiuar në mënyra të ndryshme mesazhet poetike të veprave letrare, përmes artit ato bëhen pjesë e botës sate mendore dhe shpirtërore. Në punën time në fushën e studimit të letërsisë i zgjedh edhe autorët, edhe veprat me të cilat merrem. Zakonisht jam marrë me shkrimtarët dhe veprat e rëndësishme, qoftë të letërsisë shqiptare, qoftë të letërsive të tjera. Kjo më ka ballafaquar më thellë me dijen time, me dukuritë që më rrethojnë dhe me botën e brendshme, e cila përherë ka nevojë të përtërihet e të pasurohet. Së këndejmi, me sa më shumë veprimtari të shkrimtarëve ose vepra të tyre të merresh, aq më shumë variante botësh shpalos dhe mëson dhe aq më thellë e njeh njeriun dhe vetveten.

Në një punim tuajin keni thënë se letërsia, si art i fjalës, është e papërsëritshme e, njëkohësisht, e rëndësishme dhe e domosdoshme? Sipas këtij përcaktimi, sa e dëshmon këtë letërsia shqiptare?
Letërsia si art i fjalës, si krijimtari e veçantë shpirtërore artistike, ka qenë pjesë e pandashme e njeriut qysh në kohët më të lashta, që dëshmohet sidomos përmes krijimeve të letërsisë gojore e më vonë edhe përmes veprave të letërsisë së shkruar. Ajo është e tillë e do të jetë derisa të ketë njerëz. Kështu ka ndodhur edhe me njerëzit e botës sonë. Arti i fjalës – i përcjellë gojarisht – e ka përcjellë atë qysh kur u bë i vetëdijshëm për veten dhe për veprimet që bëri. Këtë e përligjin, fjala vjen, vajtimet, këngët e punës, ato të stinëve të motmotit, gojëdhënat, legjendat për të marrë një përmasë më të madhe me përrallat dhe këngët e ndryshme epike, sidomos me këngët kreshnike. Të njëjtin rol dhe të njëjtën rëndësi e pati letërsia jonë e shkruar. Këtu po përmend vetëm shkrimtarët tanë të parë që njeh letërsia jonë e shkruar, Gjon Buzukun, Pjetër Budin, Pjetër Bogdanin, pastaj pasardhësit e tyre, De Radën, Zef Skiroi, Françesko Anton Santorin, Naim Frashërin, Fishtën, Mjedjen, Poradecin, për të zbritur tek letërsia moderne: Martin Camajn, Azem Shkrelin, Anton Pashkun, Ismail Kadarenë, Ali Podrimjen etj., veprat e të cilëve ndikuan në forma të ndryshme në pasurimin e shpirtit dhe të mendjes së njeriut tonë, siç bëri dhe letërsia gojore me llojet e veta për gjithë kohën kur mungoi shkrimi, përkatësisht letërsia e shkruar. Edhe pse në disa periudha letërsia jonë ka përligjur dhe funksionin shoqëror dhe politik, ka qenë arti i saj që ka kushtëzuar ekzistimin dhe ndikimin e saj të jashtëzakonshëm në njeriun tonë. Edhe pse në formën e kufizuar, kjo është dëshmuar edhe në kohën e sistemit ideologjik komunist në botën shqiptare, kur letërsia qe shndërrua në një mjet të politikës.

Pas shkrimtarëve tanë të vjetër, Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit, që përftuan dhe përkthyen disa vepra të rëndësishme, letërsia që u krijua tek arbëreshët e Italisë dëshmoi një vazhdimësi të artit të fjalës në shqip, edhe pse në hapësira dhe në kushte të ndryshme. Mund të na thoni çfarë rëndësie ka letërsia e arbëreshëve të Italisë dhe sa e ka ruajtur ajo edhe sot qenësinë e saj.
Kur letërsia jonë e shkruar studiohet në mënyrë të gjithanshme dhe të thellë, edhe pse në disa periudha vërehen shkëputje, ajo ka një vijimësi të brendshme të zhvillimit e të ngritjes së saj si art i fjalës, që fillon me veprat e autorëve tanë të vjetër e vazhdon deri në ditët tona. Këtë vijimësi e përligjin para së gjithash gjuha, arti i veprave të përftuara dhe tematika e lidhur me njeriun tonë, me kodin moral, zakonor e shoqëror, me fatin dhe me tragjiken e tij. Kjo gjë vërehet edhe në letërsinë tonë gojore, që është më e vjetër dhe që shekuj të tërë bëri një jetë shumë intensive dhe luajti një rol të shumëfishtë në jetën e njeriut tonë për të mbërritur edhe në kohën tonë me gjithë ndryshimet që përjetoi. Letërsia e arbëreshëve të Italisë është dëshmi e mirëfilltë e artit të madh të krijuar në gjuhën tonë, që dëshmohet përmes disa veprave që jo vetëm në kohën kur u botuan, po edhe sot hyjnë në rrethin e vlerave tona më të ngritura poetike. Pa u ndalur te poezitë e nismëtarëve arbëreshë që njohim deri më sot, Nikollë Filjes, Nikollë Brankatit e Nikollë Ketës (shek. XVII dhe XVIII), po përmend këtu veprat “Këngët e Milosaut” (1836) dhe “Skanderbeku i pafān” të Jeronim De Radës, “Te dheu i huaj” dhe Mili e Hadhia” të Zef Skiroit, “Emira” (dramë), “Sofia Kominiata” (roman) dhe “Këngëtorja arbëreshe” (poemë) të Françesk Anton Santorit etj., që hyjnë në rrethin e ngushtë të veprave më artistike të letërsisë sonë.
Në kohën kur, fjala vjen, Bogdani e pati botuar kryeveprën e vet, “Çeta e profetëve” (1685), tek arbëreshët e Italisë shënohet rapsodia – kënga e Pal Golemit (para vitit 1693) dhe krijohen poezitë e para të shkruara, që përligjen me “Dorëshkrimin e Kieutit” (1735-1750) dhe më vonë me veprën e parë letrare poetike të Jul Varibobës të botuar më vete në gjuhën arbëreshe “Jeta e Shën Mërisë Virgjër” (Romë 1762). Mjerisht, letërsia arbëreshe e artit të madh, për shkak të rrethanave e kushteve përkatëse jetësore e kulturore, nuk përjetoi një njohje të merituar dhe nuk pati një komunikim të mirëfilltë, as në mjedisin arbëresh, as në botën shqiptare të atëhershme.
Letërsia arbëreshe, mjerisht, as sot nuk komunikon në mënyrë të mirëfilltë me lexuesit arbëreshë dhe ata shqiptarë. Pse ndodh kështu e kam thënë në disa nga punimet dhe veprat e mia kushtuar letërsisë së arbëresheve, sidomos në librin “Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë”, botuar më 2008 (Kozencë, Pellegrini Editore) dhe më 2013 (Prishtinë, “Faik Konica”) dhe këtu nuk po e marr në vështrim.

Në një intervistë Tuajën keni theksuar se letërsia shqipe, kudo që krijohet, është një dhe e pandarë. Duket kështu edhe në praktikë, kur dihet se libri letrar a studimor nga Shqipëria është i pranishëm, thuaja në tërësi në Kosovë, kurse ai i Kosovës më pak gjendet në Shqipëri. Është i drejtë ky shqetësim?
E kam thënë ashtu dhe nuk mund të thuhet ndryshe. Kush mendon se ka dy ose disa letërsi shqipe, ose është e nuk di çka është letërsia, ose është i verbuar nga qëllime të tjera jashtë letrare. Çështja që ngrehni ju është me vend dhe mund të them se është shqetësuese. Mirëpo, nuk është e pazgjidhshme dhe e papërballueshme. Duhet të vazhdohet më me këmbëngulje për një integrim të mirëfilltë kulturor dhe letrar artistik gjithëshqiptare. Kjo barrë u bie më shumë ministrive dhe institucioneve tona, që shpesh dëshmojnë se i kemi sa për sy e faqe. Bile ndonjëherë bëhen edhe pengesë e ndërmarrjeve të shkrimtarëve ose të veprimtarëve, të disa qyteteve e të disa bashkësive, që po e ndihmojnë këtë integrim. Gjithë gurët dhe mbeturinat, me të cilat është ngritur për më se 50 vjet muri midis letërsisë shqipe të krijuar në Kosovës dhe letërsisë së krijuar në Shqipëri, kanë lënë pasoja të mëdha dhe ato nuk shërohen lehtë. Disa hapa janë bërë: autorë shqiptarë të Kosovës i botuan në Tiranë veprat e tyre, edhe pse në masë të kufizuar; pastaj mbahen takime të përbashkëta letrare; bëhet paraqitja e shkrimtarëve të shquar e të pashquar të Kosovës nëpër mjedise të ndryshme e në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Nuk duhet të kihet frikë nga arti i fjalës në gjuhën shqipe, kudo që ai të krijohet. Vlerat e mirëfillta nuk duhet të vështrohen e të maten me kutin e partive politike e të përcaktimeve të tjera, krahinore, dialektore ose fetare. Arti i fjalës shqipe duhet të jetë një dhe i pandarë. Kush nuk e ka këtë parasysh çon ujë në mullirin e huaj ose nxit vetërrënimin. Pasojat e sistemit komunist dhe të realizmit socialist, që pati mbërthyer letërsinë në Shqipëri gjatë sistemit komunist (pjesërisht edhe atë të Kosovës), mjerisht, i përjetojmë edhe sot.

Profesor, a ekziston letërsia post moderne?
Ekziston një parim i qenësishëm që nuk i përket vetëm letërsisë, po edhe fushave të tjera: një veprim e shkakton një tjetër. Rrjedhat letrare nuk janë aq të thjeshta dhe nuk mund të përcaktohen aq lehtë, siç mund të lexohet ndonjëherë në ndonjë shkrim të ndonjë autori tonë. Letërsia zhvillohet dhe pasurohet në forma e në drejtime të ndryshme, qoftë në rrafshin vertikal, qoftë në atë horizontal. Në letërsi asgjë nuk mund të jetë krejtësisht e re. Sado të jenë të veçanta rrjedhat letrare, ato kanë në vete edhe diçka nga e kaluara, e largët ose e afërt. Ato nuk janë objekte që të mund t’i matësh me saktësi, siç ndodh kur mat një objekt me mjetet matëse. Asnjë rrymë letrare nuk është shfaqur e pastër dhe nuk është shfaqur në të njëjtën mënyrë në letërsi të ndryshme. Në shumë raste nuk është shfaqur e njëjtë as brenda një letërsie e as brenda krijimtarisë së një shkrimtari. Kështu, fjala vjen, romantizmi në letërsi, edhe si formë, edhe si hapësirë kohe, u shfaq ndryshe në letërsitë e popujve. Po marr një shembull: romantizmi gjerman ndryshon në shumë pikë, fjala vjen, nga ai italian. Mirëpo, as vetë romantizmi italian nuk u shfaq në të njëjtën mënyrë të shkrimtarët që i përkasin asaj periudhe. Ndryshimet janë edhe më të mëdha, fjala vjen, mes romantizmit gjerman e romantizmit të vendeve të Evropës Juglindore, sidomos në letërsitë e Ballkanit. Në të vërtetë, kur në Gjermani të thuash mbaron kjo rrymë letrare, në disa letërsi janë fillet e saj. Kush kërkon rregulla të sakta kur shkruan për këto dukuri, nuk e di mirëfilli qenësinë e artit të fjalës, as të veprës letrare si shtjellim i mëvetësishëm gjuhësor shprehës dhe si një realitet i krijuar përmes gjuhës, që gjithmonë është e ndërlidhur dhe me traditën paraprake.
E bëra këtë hyrje të gjatë për t’u përgjigjur në pyetjen tuaj: nëse pranojmë se ka pasur një letërsi para romantike, ka pasur dhe një letërsi pas romantike. Së këndejmi, nëse ka pasur letërsi moderne, e këtë nuk mund ta mohojë askush, pse të mos themi se ka edhe letërsi post moderne. Thomas Elioti me të drejtë thoshte se e kaluara e përcakton në mënyrë të ndjeshme të tashmen, ndërsa Gadamer-i vinte në dukje se tradita nuk është vetëm një përmbledhje mendimesh e gjykimesh të njëpasnjëshme, po një e treta organike e potenciale, që aktualizohen e riaktualizohen në mënyrë të domosdoshme në çdo gjykim të ri. Hartimi i veprave letrare sipas modeleve dhe rregullave të fiksuara, në një mënyrë ose në një tjetër, është rrënimi i vetë atyre veprave. E vetmja rregull që mbetet e pandryshueshme për letërsinë është arti që duhet ta cilësojë çdo vepër. Të gjitha të tjerat janë të dorës së dytë.
Më duhet të them se disa studiues tanë i kushtojnë shumë kujdes çështjes së rrymave letrare. Unë në studimet e mia atyre nuk u kam kushtuar rëndësi. Jam marrë para së gjithash me vepra konkrete, me tekstet e tyre, ku kam analizuar stilin me të cilin janë hartuar ato; jam marrë me tekstin poetik, përkatësisht me shumësinë e mesazheve që dalin prej tij. Më ka interesuar sidomos dukuria si thuhet, si shprehet diçka në një vepër letrare e jo çka thuhet në të. Nëse përqendrohesh në përbërësin kryesor – mënyrën sesi thuhet diçka në një vepër letrare, ka rëndësi të dorës së dytë ajo se cilës periudhë kohe e rryme letrare ose letërsie i përket ajo vepër.

Tash 20 vjet punoni në Universitetin e Kalabrisë (Itali). Puna arsimore dhe studimore rreth letërsisë ka bërë që të jeni mysafir, përkatësisht të mbani ligjërata në universitete të ndryshme shqiptare dhe të Evropës. Çka do të thotë kjo për ju dhe a mund të tërhiqni një paralele për mënyrën dhe rrafshin e mësimit dhe të studimit të letërsisë në ato universitete në krahasim me universitetet në Kosovë dhe në Shqipëri?
Qëndrimi im mbi njëzet vjet në Universitetin e Kalabrisë ka qenë shumë i rëndësishëm dhe ka ndikuar thellësisht në punën time shkencore dhe letrare, në pikëpamjet e mia dhe në ngritjen time si studiues i letërsisë dhe si shkrimtar. T’u japësh mësim studentëve nuk do të thotë të dalësh para tyre me ditar në duar, por t’u ofrosh atyre njohuri të mirëfillta për lëndën që e jep, në rastin tim, për letërsinë. Me fjalë të tjera, dhënia e mësimit ka nënkuptuar dhe studimin dhe thellimin e njohjeve letrare teorike, estetike e stilistike, që i kisha mësuar në Universitetin e Zagrebit (Kroaci), ku kam mbaruar studimet pasuniversitare dhe kam mbrojtur temën e magjistraturës dhe të doktoratës shkencore. Është vështirë të flitet në mënyrë konkrete për rrafshet e mësimit në universitetet e disa shteteve të Evropës ku kam mbajtur mësim si në Universitetin e München-it (Gjermani) në Universitetin e Shën Petërburgut (Rusi), në Universitetin e Kalabrisë dhe në Universitetin e Messina-s, përkatësisht të Reggio Calabria-s në krahasim me Universitetin e Tiranës, të Prishtinës, të Shkodrës, të Vlorës dhe të Korçës, ku po ashtu kam mbajtur mësim ose ligjëratë. Në München kam vërejtur një rrafsh të lartë të mësimit dhe të përgatitjes, qoftë të profesorëve, qoftë të vetë studentëve. Po ashtu në Universitetin shtetëror të Shën Petërburgut, ku edhe më parë mbajtën, po dhe tani mbajnë mësim, profesorë të shquar. Po përmend vetëm një rast: në atë universitet kanë mbajtur mësim shumë emra të shquar në përmasa botërore, edhe njëri nga studiuesit më të shquar të përrallës, Propi. Rastisi që unë pikërisht po mbaja një ligjëratë për përrallën dhe rëndësinë e saj si krijim letrar poetik dhe ndikimin që ajo ka bërë te një varg shkrimtarësh të shquar botërorë, në sallën ku pikërisht dikur kishte mbajtur mësim Propi. Ishte diçka që përjetohet rrallë në jetë. Për veprën e Propit “Morfologjia e përrallës” kisha botuar në vitet ’80 të shekullit të kaluar një shkrim, që m’i pati hapur shumë dyer për t’u marrë me disa dukuri të letërsisë gojore e të veçantive të saj, në mënyrë të veçantë të përrallës (kjo vërehet në parathënien e vëllimit “Antologji e përrallës shqipe”, bashkë me Myzafere Mustafën, Rilindja, Prishtinë 1982).
Edhe brenda botës shqiptare rrafshi i cilësisë së mësimit ndryshon prej një qyteti në tjetrin. Në Universitetin e Tiranës kam vërejtur një rrafsh më të ngritur.

Viteve të fundit jo rrallë dalin sheshas edhe plagjiaturat e disa krijuesve dhe studiuesve në Kosovë, të cilët bartin tituj të lartë akademikë e arsimorë. Megjithatë, të gjitha këto sikur mbulohen me heshtje krijuesish, studiuesish, kritikësh letrarë. Sipas jush, a i miraton kjo heshtje plagjiaturat e tilla që i shëmtojnë arritjet e mirëfillta të shkrimtarëve tanë në Kosovë dhe më gjerë?
I kam lexuar disa nga tekstet që kanë sjellë dëshmi të ndryshme dhe e kanë përligjur plagjiaturën, që lidhen veçmas me tematikën në letërsi, edhe pse dihet se tematika nuk është çështje parësore për artin e fjalës, letërsinë. Njëmend, është një mjerim shpirtëror dhe intelektual, jo vetëm i atij që ka vjedhur në atë mënyrë dijen dhe mundin e të tjerëve, po edhe i atyre që e përjetojnë një dukuri të tillë të shëmtuar. Ngjashëm ndodhi me “poetin” që vodhi, të thuash fjalë për fjalë një poezi të dobët dhe i futi emrin e vet! Natyrisht, këta nuk mund t’i quash ndryshe pos intelektualë të rremë, të shpifur, që i bëjnë dëme të pamendueshme letërsisë dhe kulturës sonë. Ata kanë harruar atë që thoshte Ernest Koliqi: “Intelektualët e vërtetë, qi me vetëdije të detyrës s’vet, ushtrojnë profesín e letrave janë syni i kombit; nji sy qi merr dritë nga vuejtjet e gzimet e kalesës, qi e forcon at dritë në përvojë të së tashmes dh’e flakron si rreze terr-shporuese kah ardhmenija e palindun. Pá veprën dritë-përhapëse t’intelektualvet të njimendët, nji komb âsht si i verbti mbi nji udhë plot gropa e çarravína të rrezikshme”.
Dukurisë së plagjiaturës duhet t’i shtoj edhe një dukuri tjetër, që në thelbin e saj është po aq e shëmtuar: një krijues i një romani të botuar në Prishtinë, në ballinën e prapme shënon dy vargje: “Xhamadani vija – vija, /mut Kosova, mut Shqipëria”!

Çdo individi ka të drejtë të kritikojë, madje në shumë raste edhe të jetë i ashpër kur kritikon një dukuri të shëmtuar shoqërore (natyrisht me argumente), një qeveri, një kryetar të bashkisë, një profesor, politikan etj., për arsye se, siç thotë Th. Elioti “Kritika është po aq e pashmangshme sa edhe frymëmarrja (…)”. Unë jam i mendimit se kritika e përdorur nga një shkrimtar i ushtruar e i shkathët në veprën e vet është më qenësorja, është lloji më i lartë i kritikës dhe disa shkrim-tarë kreativë janë superiorë ndaj të tjerëve vetëm ngase aftësia e tyre kritike është supe¬riore”. Mirëpo, të shkosh deri aty që të përdorësh një shprehje të tillë që mohon vendin tënd, mohon dhe vetveten, kjo është diçka që mund të ndodhë vetëm në botën tonë dhe mund të dalë vetëm nga goja e një individi të mjedisit tonë! Mua nuk më çudit që një individ i quan dy shtetet tona në këtë mënyrë, po edhe ata që (më thanë) e shpërblyen romanin, edhe ata që heshtin përballë kësaj shëmtie, sidomos institucionet përkatëse: mësova se ai është edhe profesor fakulteti; paguhet nga shteti për ta fyer në mënyrë kaq të ulët, pikërisht shtetin që, siç thuhet zakonisht, i jep bukë! Kur ballafaqohesh me dukuri të tilla, patjetër të vijë në mendje mendimi i Konicës i thënë më 1907: “Armiqtë më të madhej të shqiptarëve janë shqiptarët vetë”!

Më parë librat e botuar përcilleshin rregullisht edhe nga kritika. Sot vetë kritikët letrarë thonë se kritika letrare ka “vdekur” dhe se shkaktarë kryesorë janë hapësirat letrare “zero” të mediave në përgjithësi. Si i shihni ju këto pohime dhe mendime?
Është lehtë ta bartësh fajin te gazetat dhe të mjetet e tjera të informimit. Natyrisht, ato kanë një pjesë të fajit, po çështja kryesore nuk “fshihet” aty. Çështja kryesore është se mungojnë revistat letrare të mirëfillta, mungon qasja dhe përfillja e drejtë e letërsisë dhe e studimit të saj. Edhe ato revista, që herë–herë dalin, janë fryt i grupeve e nuk paraqesin një program të mirëfilltë të nxitjes e të kultivimit të letërsisë e të studimit të saj, siç veprohet në vendet e tjera. I botojnë punimet e tyre, ose u kushtojnë himne të shpifura veprave të njëri–tjetrit. Ky, të them, servilizëm, përligjet edhe në rrafshe të tjera: kandidatët magjistrantë ose doktorantë, fjala vjen, në Prishtinë i ngritin në qiellin veprat e mentorëve të tyre ose, kur ndodhë që kandidatët u ndihmojnë profesorëve të sigurojnë mjetet për botimin e librave, po dhe honorarë të majme, i vlerësojnë në qiell tezat e kandidatëve të tyre! Në këtë mënyrë krijohet rrafshi i rrejshëm i vlerave, që, mjerisht, në bazë të propagandës dhe të rrethanave të veçanta, merren pastaj si vlera!
Për mungesën e kritikës shoqërore, brenda saj dhe të kritikës letrare, rrënjët duhet kërkuar, para së gjithash, tek vetë sistemi politik që kemi, tek politika që zbaton qeveria e shtetit tonë. Ky sistem dhe kjo politikë me qëllim synojnë të shmangin kulturën dhe artin e mirëfilltë si dhe çdo mundësi dhe hapësirë për kritikë, për ballafaqim dhe për vështrim të mirëfilltë e të lirë të dukurive. Parapëlqehet heshtja. Është strategji e pushtetarëve me qëllim të dominimit mbi tjetrin dhe të pasurimit vetjak e jo të krijimit të një shoqërie të pasur e sa më të lirë në aspektin kulturor e artistik. Për të konkretizuar këtë gjë, po përmend se një ministër i kulturës i Kosovës vite më parë pati thënë se në jetën e tij nuk paskësh lexuar një libër! Ministri i tanishëm, ditët e para të detyrës së tij, i hoqi nga zyra e Ministrisë fotot e Ibrahim Rugovës dhe të Nënës Tereze, duke dëshmuar në këtë mënyrë skajshmërisht “kulturën” e vet, më mirë mjerimin e vet shpirtëror e shoqëror. Çka mund të presësh prej një ministri të tillë? Ta ndihmojë kulturën? Ta zhvillojë kritikën shoqërore e letrare? Në raste të këtilla nuk të mbetet tjetër pos të zgërdhihesh!

Në një shtet të vendosur dhe në kushte normale të veprimit me zgjuarsi e maturi politike, ku qeveria bën gjithçka për ta bërë më të lehtë dhe për ta pasur jetën e qytetarëve të vet, ministri i tillë, gjatë ditës do t’ishte shkarkuar. Meqenëse kjo s’ka ndodhur, pra kryeministri ka heshtur rreth kësaj dukurie, le të nënkuptohet se edhe ai ka qenë i atij mendimi!

Sa mund të qëndrojë pohimi i akademik Rexhep Qosjes, i cili në seminarin ndërkombëtar të Prishtinës, letërsinë shqipe e quajti letërsi provinciale?
Mendimi i akademikut në fjalë është pjellë e inatit dhe e smirës përballë shkrimtarëve tanë të shquar e të afirmuar në botë si Ismail Kadare, Ali Podrimja, Fotos Kongoli etj. Ai është formuar si provincialist, prandaj dhe përligj konceptin e provincialistit, që e përshkon thellësisht mendjen dhe shpirtin e tij. Mua kjo nuk më çudit kur e di faktin se ai flet dy gjuhë që i ka mësuar në katundin e vet të lindjes: gjuhën e nënës së vet dhe gjuhën e babait të vet. Të dytën e shkruan me sintaksën e të parës, siç e ka provuar me argumente me një shkrim të botuar në revistën “Fjala” shumë vite më parë, i ndjeri, Fadil Bujari. Akademikut një herë i qe botuar në gjuhën serbe një vepër dramatike nga shtëpia botuese “Bagdalla” e Krushevcit, me përkthimin e Esad Mekulit. Në gazetën e Boegradit “Ekspres” vepra u vlerësua e rrafshit shkollor. Për të mos e pranuar se vepra e tij e përkthyer nuk ishte e atij rrafshi të ulët, akademiku (strategji e tij e rëndomtë) e bëri fajtor përkthyesin! Edhe një vepër e tij e botuar në gjuhën frënge, nuk bëri përshtypje më të mirë. Provincialisti, që është i zhytur thellë dhe jeton në provincializëm, synon që të gjithë të tjerët t’i shpallë provincialë. Këtu janë arsyet e një pohimi të tillë. Mendimin – vlerësimin e nxitur nga inati dhe smira të akademikut se letërsia shqipe është provinciale e mohojnë edhe vetë disa shkrime të tij për vlerat e disa veprave të shkrimtarëve tanë, qoftë të traditës, qoftë ata bashkëkohorë. Në këtë rrjedhë po shtoj edhe një gjë, duke kujtuar mendimin e Koliqit të përmendur më lart se intelektualët janë “syri i kombit”: në rastin e akademikut që përmendni, bëhet e kundërta: intelektuali shndërrohet, thënë me gjuhën e poezisë, në “nxjerrësin e syrit” të kombit, madje edhe të vetvetes, për inat që ka ndaj shkrimtarëve tanë të tjerë (kujto fjalën e urtë: “Për inat të sime re, vdektë im bir”!) po dhe për t’u bërë objekt bisedash e diskutimesh. Për të nuk është e rëndësishme se çka flitet, por të flitet për të. Ai vuan përtej masës që të jetë i pari në çdo fushë (e provoi edhe në politikë por dështoi më keq se çdokush tjetër), që është “virtyti” kryesor i provincialistit. E kam thënë në librat e mi dhe po e përsëris edhe këtu: sikur disa nga veprat e shkrimtarëve tanë: De Radës, Santorit, Fishtës, Poradecit, Azem Shkrelit, Martin Camajt, Anton Pashkut, Ali Podrimjes etj., t’i kishin takuar ndonjë letërsie të madhe, pa pikën e dyshimit autorët e tyre do të ishin çmuar ndër shkrimtarët më të mëdhenj.

Profesor Anton, në dhjetë vjetet e fundit botuat një varg veprash kushtuar Nënës Tereze: dy romane, një përmbledhje me përsiatje poetike dhe disa studime rreth teksteve dhe qenësisë së veprimit – flijimit të saj për tjetrin dhe përkimet e figurës së saj me Shën Palin dhe me Shën Marinë, që bëjnë dy libra të tjerë të hartuar nga ju. Edhe libri “Doracak për Nënën Tereze” e përligj këtë përkushtim. Ku janë arsyet që u morën me figurën e saj?
Janë dy arsye kryesore pse jam marrë me Nënën Tereze – Agneze Gonxhe Bojaxhiun. E para: figura e saj është për shumëçka e jashtëzakonshme, përkushtimi i saj jetësor është tepër i veçantë, flijimi dhe dashuria e saj për të varfrit e më të varfërve, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, racore e gjeografike, është e pashembullt. Papa Gjon Pali II, duke folur para besimtarëve dhe shtegtarëve të tubuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Romë një vit pas ndërrimit të jetës së Nënës Tereze (më 5 shtator 1998), pati thënë: “Kujtimi i saj mbetet i gjallë në secilin prej nesh, në gjithë Kishën dhe në tërë botën. Çfarë vepre të mrekullueshme ka ditur deri në fund ta përmbushë kjo grua me shtat të vogël, lindur në një familje të përvuajtur, me forcën e besimit në Zotin e të dashurisë për të afërmin! Nëna Tereze ka qenë një dhuratë e Zotit për të varfrit nga më të varfrit e në të njëjtën kohë, për dashurinë e saj të jashtëzakonshme për më të mjerët… Përkushtimi i saj i tërësishëm Zotit, përligjur prej ditë në ditë në lutje, u shndërrua në një përkushtim të plotë për të afërmin. Në buzëqeshjen, në gjestet e në fjalët e Nënës Tereze, Jezusi ka ecur nëpër rrugët e botës si Samaritan i mirë, e vazhdon të bëjë në Misionaret e Dashurisë e në Vëllezërit misionarë të Dashurisë, që përbëjnë një familje të madhe të themeluar nga ajo. U shprehim falënderimin bijave dhe bijve të Nënës Tereze për përcaktimin e tyre radikal ungjillor dhe lutemi për të gjithë këta që të mos ndërpresin t’i rrinë besnikë hirit që Shpirti i Shenjtë pati ngjallur në Themeluesen e tyre”. E dyta: mosnjohja e qenësisë së veprimit të Nënës Tereze në botën tonë dhe nga njerëzit tanë. Njerëzit tanë mendojnë se Nëna Tereze ka qenë një bamirëse, se u ka ndihmuar njerëzve, u ka dhënë ndihmë sociale. Kjo nuk është puna që ka bërë Nëna jonë Tereze. Ajo thoshte vetë: “Ne, para së gjithash, jemi religjioze. Jo asistente sociale, mësuese, infermiere ose mjeke. Jemi religjioze. I shërbejmë Krishtit në të varfër. E vizitojmë, kujdesemi për të, e veshim në të varfër, në të braktisur, në të sëmurë, në jetimë, në ata që vdesin buzë rrugës.
Gjithë ajo që bëjmë, lutja, puna, vuajtja, janë për Krishtin. Ne bëjmë diçka të bukur për Krishtin. Jeta jonë s’ka as arsye, as motivim, as kuptim jashtë Tij. Kjo është një çështje që shumë nuk e kuptojnë”.
Këtë përcaktim e përforcojnë më shumë edhe këto fjalë të saj: “Ne nuk pranojmë asnjë fitim për punën që bëjmë, nuk e kemi themeluar organizatën për të mbledhur fonde… Gjithkund them se nuk kërkoj të holla, nuk dua asgjë që vjen nga tepria: kërkoj që të jepet mbi bazën e flijimit”. Në këtë mënyrë, “dhurata bëhet më e vlefshme për dhuruesin sesa për atë që e pranon”.
Me një fjalë, qëllimi kryesor i themelimit të rendit të Misionareve të dashurisë dhe të nëndegëve të tjera nga Nëna Tereze, nuk qe ndihma sociale njerëzve të varfër, sikur gjakon dikush ta përcaktojë, po bartja e dashurisë hyjnore tek njerëzit e varfër, tek ata me të meta fizike e mentale, tek të gërbulurit e të droguarit si dhe bartja e këtyre tek Hyji dhe hiri i tij. Këtë gjë Nëna Tereze e thotë në mënyrë të qartë: “Nëse dashuria ime për motrat e mia është e mirë, atëherë dashuria ime për Krishtin do të jetë e mirë. Nuk janë dy dashuri. Sa më e thellë është dashuria ime për Krishtin, aq më e thellë është dashuria për motrat e mia, aq më i madh është zelli për të shkuar drejt të varfërve”.

Veçantinë dhe madhërinë e veprimit të Nënës Tereze e përligjin edhe këto dy mendime të bashkëpunëtoreve të saj, Eileen Egan: “Nëna Tereze ka ngjarë në një shenjt të veçantë më shumë se çdokush tjetër në historinë e krishterimit: në Shën Françeskun, varfanjakun e Azisit” dhe të Chiara Lubich: “Për ne ishte një model. Në të vërtetë, është një mjeshtër e shkëlqyer e artit të dashurisë. Njëmend, i donte të gjithë. Nuk pyete se ishte katolik ose induist ose mysliman. Asaj i mjaftonte që të ishte burrë ose grua, në të cilin zbulonte gjithë dinjitetin e tij. Nëna Tereze donte e para: ishte ajo që shkonte e kërkonte më të varfrit për të cilët qe grishur nga Zoti. Shihte, thuajse s’kishte një tjetër, Jezusin në secilin: ‘E ke bërë për mua’, që ishte motoja e saj. Nëna Tereze ‘ishte një’ me të gjithë. Qe bërë e varfër me të varfrit, sidomos ‘si’ të varfrit. Këtu qëndron ndryshimi nga asistentja sociale e thjeshtë ose nga ai që i është kushtuar (punës) vullnetare”.

Është mëkati ynë i pafalshëm që nuk e njohin si duhet njërën nga bijat tona më të shquara, shembullin më të denjë për t’i ndihmuar të afërmit dhe për t’u flijuar për tjetrin, për atë që ka nevojë, për ta zvogëluar barrën e jetës dhe për ta bërë botën më të mirë dhe më njerëzore. Mjerisht, ka raste madje edhe të përbuzjes dhe të urrejtjes së saj nga disa njerëz tanë në atë masë, që nuk është shprehur në këtë mënyrë në asnjë mjedis shoqëror dhe në asnjë vend tjetër të botës. Kjo dëshmon për diçka të thellë të zhbërjes së qenies sonë në këtë kontekst jete e veprimi.

Edhe pse një periudhë të gjatë jeni jashtë Kosovës, a e përcillni veprimtarinë botuese dhe qëndrimin e institucioneve përgjegjëse ndaj saj?
Pa dyshim se përcjell shumëçka që ndodh në Kosovën tonë dhe në Shqipërinë tonë. E përcjell edhe veprimtarinë botuese dhe qëndrimin ndaj saj. Duke e ditur se si veprojnë të tjerët në këtë fushë, sidomos në disa shtete të Evropës që përkohësisht kam qëndruar, qoftë si bursist i Humboltit, qoftë si ligjërues, shumë dukuri të kësaj natyre që ndodhin tek ne më janë të qarta. Edhe numrin më të madh të veprave të mia i botoj në Prishtinë e në Tiranë dhe dashur e padashur jam i lidhur më veprimtarinë botuese. Meqenëse veprimtaria botuese lidhet me kulturën dhe me letërsinë, për të cilën fola edhe më lart, ajo nuk mund të jetë ndryshe pos fryt dhe pasojë e politikës shpesh herë të përmbysur. Po kujtoj këtu, fjala vjen, botimin e kompletit të veprave të R. Qosjes: 250.000 euro dhënë nga Ministria për kulturë (JO, I KA DHËNË MINISTRIA E ARSIMIT) e Kosovës, për kompletin e veprave që nuk e kanë blerë as dhjetë vetë! Veprat e tij të botuara disa herë, ende janë në shitje, edhe ato që kanë të shënuar dy tituj të institucioneve shkencore (Instituti albanologjik i Prishtinës & Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës). Natyrisht, këta tituj shërbenin për të mbuluar, para së gjithash, padijen!
Me këto të holla, e me të holla të ngjashme, që janë dhënë në mënyrë të tillë (nuk po e përmend një rast tjetër tipik), kanë mundur të botohen, fjala vjen, një zgjedhje e romaneve shqiptare, nga fillimi deri më sot, ose të ribotohen disa vepra të autorëve të Rilindjes e të pas Rilindjes ose të ribotohen radhonjtë “Visaret e Kombit”, të ribotohen disa nga revistat e rëndësishme shqiptare “Albania” e Faik Konicës dhe “Hylli i Dritës” ose ndërmarrje të ngjashme, që kanë një rëndësi të madhe për kulturën dhe letërsinë tonë.
Di se komisioni i Ministrisë së kulturës të Kosovës, natyrisht jo rastësisht, i ka propozuar për financim librat që nuk janë vëllimore. Pra, e rëndësishme ka qenë numri i veprave të financuara sesa vlera e tyre!

A dëshironi të shtoni diçka në fund të kësaj bisede?
Dëshiroj të them se njeriu ynë duhet ta kuptojë një herë e mirë një gjë: të mësojë nga pësimet dhe nga tragjikat që e kanë goditur në të kaluarën e largët ose të afërt me qëllim që të mos përsëriten më e të mos pësohet në të njëjtën mënyrë; të duan veten e tjetrin, t’i ndihmojnë e ta përkrahin në veprimet e drejta për arsye se në këtë mënyrë përligjin rrafshin më të lartë të vetëdijes, të dinjitetit e të qenësisë së gjallimit të tyre e të botës sonë. /Telegrafi/
 

Exit mobile version