Intervistoi: Shaqir Foniqi
E dalë nga një familje artistësh, kryesisht në lëmin e muzikës (babai i saj Izet Kallaba është kompozitor i njohur), Arta, qysh si e re e sprovoi veten në shumë fusha të artit, por duket se regjia e pushtoi të tërën dhe në këtë fushë ka arritur suksese, sidomos me shfaqjet, “Lisistrata” nga Aristofani, ”Guxim për Vrasje” nga Lars Noren, “Heshtje” nga Refet Abazi, etj. Me këto shfaqje ajo tregoi seriozitet dhe afinitet, duke fituar edhe çmime të shumta. Po, cila është në të vërtetë Arta Kallaba në jetë dhe cilat janë synimet e saja, por edhe preokupimet dhe vështirësitë, me të cilat po has në fushën e saj-regjinë?
Arta, numri i femrave në Kosovë, të cilat merren me regji është kryesisht i vogël, sepse konsiderohet një profesion i rëndë dhe me përgjegjësi. Ju i hytë këtij rreziku dhe, duket se po e përballoni me sukses?
Unë para se ta zgjedhë këtë profesion, nuk kisha dëgjuar më herët se ka femra në Kosovë të cilat studiojnë këtë fushë, por si fëmijë jam rritur në një familje ku të gjithë janë marr me Artin dhe Artin e kam gjetur ne vete e nuk e kam parë veten në Art. Ajo që njeriu e ndjen dhe e don nuk e konsideron të rrezikshme por gjen kënaqësi në të; kjo më ka ndodhur edhe mua me këtë profesion.
A ka tekste të mira me autor shqiptarë, apo jeni e detyruar të zgjidhni tekste të autorëve të mëdhenj të huaj, sepse, kur teksti është i përkryer edhe regjia s’ka se si të mos dalë e mirë?
Asnjëherë nuk jam preokupuar se kush është autori i tekstit, shqiptar apo i huaj, gjithmonë përshtypjet e para i kam marrë nga vetë tema që ka të bëj në vepër. Në art, asnjëherë nuk bëj kompromise dhe nuk bëj asnjë vepër për hir të dikujt që e kam mik apo mike. Pajtohem plotësisht me atë që thoni se, teksti i përkryer të mundëson për të bërë shfaqje të mirë.
Shquheni si regjisore që keni sjell frymë të re në regji. Çka i karakterizon shfaqjet tuaja?
Ndjehem mirë që nga shumë kritik është thënë ashtu për mua, besoj se kjo vjen si pasojë e moshës time të re. Ideja dhe shija ime dallojnë prej regjisorëve më në moshë dhe besoj është edhe tjetra se unë nuk kam paragjykime dhe përmes teatrit e them atë që vërtetë e ndjej dhe mendoj.
Si është bashkëpunimi me aktorë, si ju shikojnë ata juve dhe a kemi ne aktorë të mirë?
Me kënaqësi dhe bindje të madhe them se kemi aktorë shumë të mirë dhe jam e lumtur për këtë fakt. Unë deri tani asnjëherë nuk kam pasur problem as në përzgjedhjen e tyre, por as gjatë procesit të punës dhe mund të konsideroj se, jam me fat që gjithmonë në shfaqjet e mia kanë luajtur aktorët e mirënjohur dhe profesionist, duke i përfshirë këtu edhe profesorët e aktrimit të cilët asnjëherë nuk kanë refuzuar ftesën për të qenë pjesë e projektit tim. Vetë fakti që pranon aktori ftesën e një regjisori, nënkupton se i ka pëlqyer ideja dhe koncepti i regjisorit për shfaqje, por njëkohësisht edhe respekti ndaj regjisorit.
Me shfaqjet tuja keni qenë edhe jashtë Kosovës. Si janë pritur ato?
Mund ta përmend një rast kur me shfaqjen time “Guxim për vrasje” kam qenë në Tiranë në vitin 2007 dhe shfaqja është dhënë tre net me radhë. Ajo që më ka bërë përshtypje ka qenë publiku i njëjtë, ku ishin shumë emra të njohur nga elita e Shqipërisë, të cilët më befasuan kur i pashë që kishin ardhur sërish ta shohin shfaqjen që, tashmë e kishin parë dy net radhazi.
Jeni femër që keni dëshirë të shëtisni shumë. A do të thotë kjo se po hulumtoni ndonjë terren tjetër për të bërë regji?
Shëtitja në shtete të ndryshme të botës për mua është terapi, e kjo po më ndodhë kohët e fundit shpesh pasi që nuk jam duke punuar ndonjë shfaqje dhe po ndjehem e zbrazët. Këtë zbrazëti po e kompensoj me shëtitje të shumta të cilat po i shfrytëzoj edhe për të gjetur vendin në të cilin do të mund të punoj ndonjë shfaqje.
Ju, vazhdimisht jeni prapa kuintave. Puna e juaj është prapa skenës, por skenën e keni përpara. A e ka regjisorja fajin kryesor për dështimin e ndonjë shfaqje dhe suksesin e saj poashtu, apo është art kolektiv dhe qoftë suksesi, qoftë dështimi nuk shkojnë në një adresë?
Regjia është një art i përbashkët; në shfaqje përfshihen të gjitha artet dhe padyshim suksesi edhe mossuksesi bie mbi tërë ekipin. Unë, nuk mund ta konsideroj në art fjalën dështim, pasi që çdo gjë bëhet me shpirt, por unë këtu kisha me e thënë se një shfaqje pëlqehet apo nuk pëlqehet, sepse arti është çështje e shijes.
A ka kushte për regji në Kosovë dhe cila është pozita e kulturës sot, këtu. Sa përkrahet ajo nga institucionet tona?
Definitivisht nuk ka kushte të mjaftueshme për të qenë regjisor në Kosovë, ndërsa pozita shoqëro-kulturore në Kosovë është në gjendje të dhimbshme të tranzicionit dhe për fat të keq shumë vlera kulturore po humbin duke dal në pah antivlerat. Unë kam besim në Institucionet tona, duke e ditur se jemi në fillim të ndërtimit të shtetit më të ri në botë dhe besoj që do të na përkrahin t’i luftojmë antivlerat.
Keni në plan ndonjë projekt, së afërmi?
Unë gjithmonë kam diçka gati për të inskenuar, vazhdimisht lexoj dhe disa nga ato që më pëlqejnë i lë anash që, po të më jepet rasti në ndonjë teatër, kam diçka që mund ta realizoj. Plan konkret tani për tani, nuk kam.
Ju keni diplomuar për regji me shfaqjen, “Guximi për vrasje”. Duket se, njëfarë guximi po ju përcjell vazhdimisht?
Mënyra më e mirë për ta përkrahur fëmijën është ta lësh atë të pavarur, ashtu do të mësohet të jetë i guximshëm dhe ta thotë atë që e mendon pa u trembur. Kështu kanë vepruar prindërit e mi me mua…
/Telegrafi/