Telegrafi

Arsyet se përse përdoret “Facebook”-u

“Kafe” duket një kandidate e mirë, e cila qëndron në krye, ashtu siç shohim shpesh të shkruhet fjala “telefon”, “punë”, “fundjavë” dhe “receta”. Por një fjalë që me siguri është më dominuesja në këtë aspekt dhe pa dallim moshe, është “Facebook”.

Rrjetet sociale tashmë janë një e tashme e vazhdueshme në jetët tona. Mund të kryhen studime të gjata mbi “përse-në” e suksesit të tyre, mbi profilet e ndryshme që i përdorin, mbi qëllimet për të cilat përdoren, se çfarë ndodh me platformën tonë të të dhënave, mbi vlerën e tyre të vërtetë, mbi rrezikun e postimeve etj.

Për sa u takon motiveve për të cilat përdoruesit i përdorin, më poshtë jepen një listë arsyesh të botuara në “Huffington Post”.

1) Vetmia

Ky motiv është më i thellë dhe më i gjerë nga se mund ta mendoni. Mendime, opinione, këngë dhe foto ndahen me të tjerët kur personi përjeton vetminë, ndjenjën e cila lidhet me një nevojë kimike për të gjetur dikë që të jep “like” (pëlqime). Pas çdo gishti të madh të ngritur automatikisht (virtualisht), çdo i vetmuar ndihet më pak i tillë. Në këtë rast, postohen fraza me pak banalitet, të pabesueshme e të cilat shpesh janë jashtë kontekstit.

2) Një histori e përfunduar

Me shumë gjasa, në kohët e sotme nuk është më e nevojshme t’i tregoni miqve drejtpërdrejt se juve i keni dhënë fund një marrëdhënieje private! Ata e kuptojnë vetë sapo shohin papritur një aktivitet intensiv tuajin në “Facebook”, me një tendencë për të postuar foto në diskotekë, me një shishe verë në dorë, apo duke u shtirur sikur po argëtoheni, sikur të thoshit “Nuk më intereson aspak nëse mori fund, shiko se si po argëtohem…!”.

3) Në kërkim të një historie dashurie

Kush është në kërkim të atij/asaj, tendencialisht është shumë aktiv në “Facebook” dhe këtë gjë e bën në mënyrë shumë të kujdesshme dhe të studiuar. Poston më së shumti foto të vetes, ku përgjithësisht ka dalë mirë (për të cilën mundësisht ka kaluar një pasdite të tërë për të gjetur efektet e duhura të fotos për t’u dukur bukur), ndërsa ndan artikuj në dukje interesantë dhe shpesh në linjë me një lloj mendimi kulturor, dhe nga ana tjetër informon se do të marrë pjesë në ngjarjet më “cool” të qytetit.

4) Frustrimi, lodhja nga përditshmëria

Besohet se rreth 90% e përdoruesve të “Facebook”-ut, e kanë përdorur këtë rrjet social të paktën një herë të vetme në jetë për t’i bërë ballë kësaj gjendjeje shpirtërore bashkë me lodhjen e përditshme. Këtu futen postimet që tregojnë për radhët e gjata, për njerëzit të cilët pinë duhan kudo, mbi prindërit të cilët nuk arrijnë të qetësojnë fëmijët në vende publike, për trafikun, çështjet politike e sociale të vendit etj.

5) Demonstrimi i suksesit në jetë

“Facebook” është edhe instrumenti për t’i “ulëritur” botës sukseset e jetës: marrjen e një diplome, fitoren e një kampionati, një promocion, lindjen e një fëmije, festimin e një bashkimi etj. E bukura e këtyre postimeve është se janë pozitivë, sjellin humorin e mirë, ndërsa transmetojnë lumturi dhe optimizëm.

6) Të qenët të lumtur, të dashuruar

Mund të thuhet se, është shumë e vërtetë se kur një njeri është i lumtur, dëshiron t’i ulërijë një bote të tërë! “Facebook” e ofron më së miri këtë mundësi. Edhe në këtë rast, “like”-t (pëlqimet) janë të garantuara, por kanë më pak efekt sesa ato të cilat jepen për rrjedhën e së përditshmes. Kjo, sepse kush i poston është totalisht i lumtur dhe marrja e “like”-ve është jo dhe aq e rëndësishme, përderisa gjendja e personit të lumtur, nuk ndryshon, pavarësisht mosvënies re nga të tjerët.

7) “Do t’ua them mes rreshtave”

Bëhet fjalë për ata persona të cilët nuk gjejnë kurajën të thonë me zë të vendosur gjëra që kanë për të thënë, por i shkruajnë në “Facebook”, duke thurur një “deklaratë” të përgjithshme, që thellë-thellë “godet” personin që duan të “godasin”. Në këtë rast, mund të theksohet xhelozia, mungesa e vëmendjes apo e inatit. Pra “Facebook”-un e shohin si një mundësi shprehjeje, qoftë edhe nëpërmjet një kënge.

8) Kërkoj, shes, jap me qira

Sigurisht, është interesante fuqia që ka “Facebook” në këto situata, të cilat në rastet më të shumta i bëjnë bizneset konkurruese dhe jo vetëm! Nëse dëshironi të shisni një lavatriçe, apo doni të blini një biçikletë, të merrni një dhomë me qira, një postim në “Facebook” mund të jetë zgjidhja. Brenda 24 orëve do të keni vetëm sikletin se çfarë do të zgjidhni.

9) Koha, receta dhe “Ja se çfarë po ha!”

Absolutisht, mes postimeve më me shumë tendencë në këtë periudhë, dominon ai që përputhet me oraret televizive. Nëse bie shi, shkruajnë po bie shi, nëse bën nxehtë, të gjithë shkruajnë se bën shumë vapë, nëse kalon ndonjë re është thelbësore të ndahet me një foto…nëse hahet një pjatë me makarona, ia vlen ta fotografosh dhe të publikosh recetën, e njëjta gjë vlen edhe për ushqimet e ngrëna jashtë shtëpisë. “Like”-t janë tendencialisht të garantuar.

10) “Ju informoj se…”

Po flasim për shpërndarjen e artikujve, të cilët duken interesantë apo të informacioneve të ndryshme. Këtu del në pah fuqia e “Facebook”-ut dhe “përse”-ja e strategjive të fundit afatgjata të Zuckerberg, i cili synon ta bëjë rrjetin social, gazetën më të madhe online në botë!