Shumë njerëz vuajnë nga paaftësia e tyre për t’i marrë kritikat në mënyrë konstruktive
Marrëdhënia jonë me kritikat dhe reagimet negative formohet nga shumë faktorë: marrëdhënia me prindërit, përvojat e fëmijërisë së hershme, personaliteti, ndikimet e bashkëmoshatarëve, etj.
Megjithatë, mund të jetë e dobishme të kuptojmë rrënjët biologjike të fiksimit tonë me reagimet negative (ose përvojat negative).
Ndjenja e fajit ose e turpit, ose thjesht të qenit të mërzitur pasi kritikohemi, është mënyra e mendjes sonë për t’i dhënë kuptim një përvoje të ndërlikuar që dëshirojmë ta shmangim në të ardhmen, shkruan Psychology Today.
Paradoksi i negativitetit
A jeni ndjerë ndonjëherë sikur dikush mund t’ju komplimentojë nëntë herë, por do t’ju interesonte vetëm kur t’ju kritikonte në rastin e 10-të? Kjo ndodh kur reagojmë më lehtë ndaj stimujve negativë, kujtojmë më qartë kujtimet negative dhe fokusohemi më shumë në aspektet negative të një përvoje.
Frika nga vlerësimi negativ
Kjo është në thelb një instinkt shoqëror. Frika për t’u vlerësuar si më pak ose më keq se ajo që jemi mund të ndikojë në vetëvlerësimin tonë. Kjo, për fat të keq, mund të sigurojë që reagimet negative gjithmonë do të na thumbojnë pak më shumë sepse kërcënojnë një ego tashmë të dobësuar.
Sipas hulumtimeve, mund të krijojë tek ne një nevojë për miratim social, të cilën mund ta kërkojmë duke përdorur platformat e rrjeteve sociale (jo një strategji e mirë përballimi).
Frika për t’u përjashtuar, ose për t’u parë si i ndryshëm, mund t’i bëjë reagimet negative të duken si një shenjë se nuk jeni të kërkuar ose se nuk i përkisni një vendi apo pozicioni të caktuar. Kritika trondit themelet e hierarkisë së Maslow të nevojave njerëzore – siguria dhe pranimi.
Nga mund t’ia filloni për të përmirësuar marrëdhënien tuaj me kritikat:
– Kaloni më shumë kohë vetëm për të kuptuar gjërat që vlerësoni. Duke shijuar shoqërinë tuaj dhe duke punuar me veten, mund të siguroheni që nuk do të mbivlerësoni opinionet e njerëzve të tjerë për ju, citon Anabel.
– Kuptoni se nuk ka asnjë mënyrë për të shmangur reagimet negative. Ato janë të pashmangshme, por njëkohësisht edhe të rëndësishme për rritjen tuaj. Megjithatë, është shumë e mundur të largoni dëmin e panevojshëm që duroni, sepse jeni shumë të ndjeshëm ndaj tyre. /Telegrafi/