Site icon Telegrafi

Arsyet pse infeksionet urinare janë të shpeshta tek femrat

Të shpeshta janë rastet kur përballemi me infeksionet urinare, dhe të shumtën e rasteve ndjejmë një bezdi në trupin tonë.

Urologu Fahredin Veselaj ka deklaruar madje se infeksionet më të shpeshta urinare ndodhin tek femrat, madje siç potencoi doktori, kjo më së shumti u ndodh grave nga mosha 18-vjeçare e deri tek ajo 45-vjeçare.

I ftuar së fundmi në podcastin e Telegrafit, “Shëndeti në rend të parë” me Besnike Salihun, doktori gjithashtu përmendi edhe faktorët që çojnë deri tek infeksionet urinare tek femrat.

“Gjithsesi infeksionet urinare janë më të shpeshta tek femrat. Te femrat infeksionet urinare ndodhin më së shumti kisha thënë nga mosha 18-vjeçare deri dikur 45-vjeçare, deri [d.m.th] në menopauzë”, deklaroi urologu Veselaj gjatë intervistës.

“Thashë që në këtë fazë shumë të shpeshta. Arsyet janë të shumta. Duke filluar nga fakti se kanali urinar tek femra është i shkurtër, apo uretra është e shkurtër. Dhe në periudhat e mujoreve, mundësia për ardhjen e infeksioneve është shumë më e madhe. Pastaj aktiviteti në çift, aktiviteti seksual gjithsesi mund të rritë mundësinë për infeksione urinare. Konsumimi i pakët i lëngjeve dhe ujit gjithsesi i rritë mundësitë për infeksione urinare. Mbajtja, qëndrimi në ambiente të ftohta, qoftë në pishina, deti e dhoma të ftohta, gjithsesi e zvogëlon qarkullimin e gjakut në regjionin e pjesës së poshtme të barkut edhe ajo është një prej arsyeve të infeksioneve urinare. Por ka edhe shumë faktorë të tjerë, për shembull kur pacientët kanë kapsllëk, kur kanë sëmundje gjinekologjike, edhe këto i rritin mundësinë për infeksione”, ka pohuar eksperti shëndetësor.

Veselaj gjithashtu ka treguar se cilat janë simptomat me të cilat ballafaqohet dikush kur përballet me këtë lloj problemi shëndetësor.

“Simptomat më të shpeshta janë urinimet e shpeshta, urinimet me gjakderdhje, d.m.th urina me gjak, dhembja në pjesën e fundme të barkut, do të thotë këto janë tri simptomat më të shpeshta. /Telegrafi/

Exit mobile version