Pas shumë takimeve e diskutimeve, më në fund është arritur marrëveshja finale që City Football Group të blejë skuadrën italiane Palermo.
Presidenti aktual i Palermos, Dario Mirri ka pranuar shitjen e 80 për qind të aksioneve tek City Football Group, kompani nën pronësinë e sheikut Mansour bin Zayed Al Nahyan.
Palermo ka qenë ndër vite pjesë e elitës së futbollit italian, por viteve të fundit kriza e madhe financiare i kaploi dhe klubi vendosi të rifillojë nga nivelet e ulëta.
Javë më parë Palermo arriti të rikthehet në Serie B dhe synimi tanimë është i qartë, që pas një viti të arrijnë në A.
Marrëveshja është arritur për shumën e 13 milionë eurove, ku City Football Group do t’i ketë 80 për qind të aksioneve në zotërim, derisa 20 të tjera do të mbesin tek presidenti aktual Dario Mirri.
Kësisoj Palermo bëhet klubi i 12-të nën pronësi të City Football Group, pasi më parë janë edhe Manchester City (Angli), Girona (Spanjë), Montevideo City Torque (Uruguai), New York City (SHBA),Bolivar (Bolivi), Mumbai City (Indi), Sichuan Jiuniu (Kinë), Lommel (Belgjikë), Troyes (Francë), Melbourne City (Australi) dhe Yokohama F. Marinos (Japoni). /Telegrafi/