Telegrafi

Arrestohet nusja në ditën e dasmës në Meksikë, akuzohet për zhvatje

Në Villa Guerrero të Meksikës, një nuse u arrestuar për zhvatje në ditën e saj të dasmës, shkruan Sky News.

Ajo është fotografuar e prangosur me fustanin e nusërisë, e rrethuar nga policia, transmeton Telegrafi.

Gruaja, që prokurorët e kanë identifikuar si Nancy N, nuk ka arritur fare në kishë. Policët e kishin takuar gjatë ceremonisë, kur para kishës po dilte nga vetura.

Dhëndri në mediat meksikane është identifikuar si Clemente N, nofka e të cilit është El Rato, që do të thotë “miu”, i kërkuar për të njëjtat akuza, por se ka arritur të ikë.

Çifti dhe disa pjesëmarrës të tjerë u akuzuan për zhvatje të parave nga tregtarët e pulave në Toluca, pranë Mexico City.

Përveç kësaj, dyshohet se kanë rrëmbyer katër punëtorë nga thertorja. Prokuroria ka publikuar fotot e të dyshuarve gjatë arrestimit në rrjetet sociale.

Grupi dyshohet se është i lidhur me kartelin La Familia Mochoacana, thanë autoritetet, duke shtuar se hetimi po vazhdon. /Telegrafi/