Site icon Telegrafi

Arrestohet nënkryetari i partisë neo-naziste greke, “Agimi i Artë”

Nënkryetari i arratisur i partisë neo-naziste greke, Agimi i Artë, Christos Papas, u arrestua në Athinë pas disa muajsh në arrati.

Papas ishte duke u kërkuar që nga tetori i vitit të kaluar, kur e gjithë udhëheqja e partisë u dënua për krim të organizuar.

Ai u dënua me 13 vjet burg, por ai refuzoi të dorëzohej. Papas është i njohur për fiksimin rreth nazizmit dhe konsiderohet ideologu kryesor i Agimit të Artë.

Burimet e policisë thonë se ai u gjet në një shtëpi në rrethin Zograf të Athinës.

Agimi i Artë arriti kulmin e popullaritetit në vitin 2012, gjatë krizës financiare në Greqi, por u bë i njohur për lidhjet e saj me sulmet ndaj migrantëve dhe aktivistëve të majtë.

Hetimi penal kundër Agimit të Artë filloi në vitin 2013 pasi një mbështetës i asaj partie vrau një reper antifashist.

Gjyqi zgjati më shumë se pesë vjet dhe përfundoi në tetor me vendime kundër 68 personave, pas së cilës shpërthyen trazirat përpara ndërtesës së gjykatës. /Telegrafi/

Exit mobile version