Një nga bosët më të fuqishëm të drogës në botë, Ismael “El Mayo” Zambada, lider i kartelit Sinaloa të Meksikës, është arrestuar nga agjentët federalë amerikanë në El Paso, Teksas.
Zambada, 76 vjeç, themeloi organizatën kriminale me Joaquin “El Chapo” Guzman, i cili aktualisht është i burgosur në SHBA.
I arrestuar me Zambadan ishte edhe djali i Guzman, Joaquin Guzman Lopez, tha departamenti i drejtësisë amerikane, raporton bbc.
Në muajin shkurt, Zambada u akuzua nga prokurorët amerikanë për prodhim dhe shpërndarje të fentanyl, drogë më e fuqishme se heroina, transmeton Telegrafi.
Në një deklaratë me shkrim të enjten në mbrëmje, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland tha se të dy burrat udhëheqin “një nga organizatat më të dhunshme dhe më të fuqishme të trafikut të drogës në botë”.
“El Mayo dhe Guzman Lopez i bashkohen një liste në rritje të drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve të kartelit Sinaloa, të cilët Departamenti i Drejtësisë po i mban përgjegjës në Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
“Fentanyl është më vdekjeprurës se droga me të cilin është përballur ndonjëherë vendi ynë dhe Departamenti i Drejtësisë nuk do të pushojë derisa çdo udhëheqës i kartelit, anëtar dhe bashkëpunëtor përgjegjës për helmimin e njerëzve tanë të mbahen përgjegjës”, shtoi Garland, oficeri më i lartë i zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara.
Prokurorët amerikanë thonë se karteli Sinaloa është furnizuesi më i madh i drogës në SHBA.
Autoritetet amerikane kanë vërejtur më parë se fentanili është shkaku kryesor i vdekjes së amerikanëve të moshës 18 deri në 45 vjeç.
Ndryshe, Administrata Amerikane e Zbatimit të Drogës (DEA) kishte ofruar një shpërblim deri në 15 milion dollarë (14 milionë euro) për kapjen e Zambadas. /Telegrafi/