Site icon Telegrafi

Arratisje në artin e Pranvera Sylejmanit

Pranvera Sylejmani është piktore e veçantë, me botë kreative të veçantë, me përkushtim krijues gjithashtu të veçantë. Dhe si e tillë, hyri në artin e pikturës, duke i mposhtur të gjitha sfidat që di t’i kurdisë ky art, njësoj siç i di t’i kurdis edhe vet jeta.

Pranvera i takon atyre krijuesve të cilët me përkushtim kreativ kërkojnë poetikën e humbur, magjinë e së bukurës, si dhe kuptimin domethënës të njeriut dhe të natyrës.

Shikuar në tërësinë e saj shpehimore e tematike, mund të thuhet se piktura e Pranvera Sylejmanit, tashmë mund të radhitet krahas realizimeve të suksesshme pikturale të artit tonë pamor.

Nga biografia e tij modeste mund të mësohet se ka pasur paraqitje individuale dhe sosh kolektive si dhe mirënjohje e shpërblime.

Në të vërtetë, piktorja jonë, dëshmon edhe një herë për atë që dihet prej shumë kohësh, se nuk është më rëndësi se më se shprehesh, por çka ofron, çka shpreh.

Një dimension artistik i jetës dhe veprimtarisë suaj, është arti pamor. Si ndiheni brenda kësaj “bote” të bukur nuancash?

Si pjesë të arteve pamore do të thotë se së pari ato e ‘sulmojnë’ shikuesin nëpërmjet imazheve dhe ky është pikëtakimi kryesor. Më pas, secili në specifikën e vet, ndjek një rrugë të veçantë për të mbërritur në shpirtin e njerëzve dhe për të zgjuar prej andej ndjesi dhe emocione të ndryshme. Vet fjala art ka kuptimin e së bukurës, dhe vërtetë të jesh artiste është një privilegj që ta jep natyra, një botë nuancash plot, ku sigurisht s’ka si të mos ndjehesh mirë.

Cilat janë ato detaje që dallojnë më së shumti në morinë e punimeve artistike që keni krijuar ndër vite?

Gjithmonë më kanë tërhequr motivet arkeologjike dhe etnologjike, që janë pjesë e rëndësishme e realitetit tonë. Janë këto detaje të zgjedhura për të treguar disa nga rezultatet e mia në drejtim të entuziazmit që influencon në artin tim.

Pjesa më sfiduese për ju drejt këtyre motiveve?

Arti ekziston me realitetin, por pavarësisht nga ai. Bukuria e kësaj aventure qëndron në faktin që secili nga ne kërkon një rrugë të vetën. Përpiqem që kjo të vijë përmes projektesh e planesh. Çdo punë është sfiduese, sepse me shumë përgjegjësi duhet të realizohet çdo motiv dhe të prezantohet ashtu siç e ka peshën, por gjithmonë në mënyrën time.

Ndërthurja e elementeve të këtillë krijon një profil artistik të veçantë. Si ia arrini të keni një profilizim dinjitoz të punimeve tuaja?

Fenomeni artistik në krijimtarinë time paraqet një pasqyrim, i cili ka vlerë origjinale – duke qenë vetvetja!

Çfarë realisht simbolizojnë punimet tuaja dhe a reflektojnë ato një pjesë të natyrës suaj artistike?

Në krijimtarinë time kam disa cikle të pikturave dhe vizatimeve, por së fundmi jam duke punuar një cikël pikturash që ka për dedikim barazinë gjinore, ku shihet se qysh në formimin e hershëm të embrionit, fillojnë paragjykimet. Realisht jam fokusuar në këtë temë, ndërsa si pasojë e mentalitetit patriarkal, ende shohim pasoja në shoqërinë tonë; në çdo fushë bëhen dallime midis grave dhe burrave, duke e lënë gruan anash në kuptimin e gëzimit të të drejtës së saj.

 

Mendoni se arti ka fuqi të krijoj realitetin?

Gjithmonë inspirimi për të krijuar nismën e ka nga realiteti, por fuqia e artit është përtej realitetit…Arti nuk mund t’i thotë të gjitha, por ai mund të orientojë shpirtin dhe mendjen drejt gjithçkaje.

Keni çelur një seri ekspozitash ndër vite. Cilën do ta veçoje si më të rëndësishmen, për vetë gamën e punimeve të prezantuara, si dhe vlerësimet a publikut artdashës?

Nuk mund t’i shoh të shkëputura apo të veçuara ekspozitat, është një kërkim i vazhdueshëm që ndodh brenda çdo artisti besoj. Kryesisht puna ime që bëj gjithmonë është kolektive, dhe e çmoj më shumë. E veçanta e saj është sepse aty gjithmonë njeh artistë nga mbarë bota, shkëmbim eksperiencash dhe ekspozita kolektive. Për sa i përket vlerësimeve, them që punët e mia mirëpriten nga shpirtra të ngjashëm në thelb me timen, të cilët gjejnë veten brenda tyre

Ke ndonjë punim më për zemër, të themi diçka që lidhet me gjendjen tënde emocionale? Një histori të caktuar…

Realisht janë disa nga pikturat e mia që lidhen me pasionin, gjendjen time emocionale. Është një çlirim shumë i dëshiruar i momentit. Por është shumë e vështirë të thuhet me fjalë, le të mbetet ashtu siç është, ‘vetëm për mua’.

 

Përtej konceptit, qëllimi parësor, artistik e profesional, cili është?

Është e vështirë të interpretosh artin tënd, por dua të përmend edhe karrierën në Institutin Arkeologjik të Kosovës. Jam me fat dhe e privilegjuar që përmes duarve të mija kalojnë artefaktet që kanë rëndësi të madhe për shtetin tonë.

Artist të huaj apo shqiptar, që të frymëzojnë bindshëm në krijimtarinë tënde?

Artisti i vetëm, i cili vazhdon të më inspiroj, por që është edhe motivi kryesor në veprimtarinë time, është ai nga i cili edhe e kam trashëguar talentin – Babi im dëshmor, Gursel Sylejmani.

Çfarë nisme të radhës presim nga ju?

Mund të them që jam në gjendje të vazhdueshme pune. Festivali i muraleve, është një bashkëpunim dhe me artistë të tjerë, i cili mund të konsiderohet nismë, meqë këtë vit është edicioni i II-të i kësaj agjende të pasur disaditore.

Foto: Arton Humolli

/Telegrafi/

Exit mobile version