Aronia është një superfrut i shëndetshëm, që ofron sasi jashtëzakonisht të lartë të vitaminave, mineraleve, antioksidantëve dhe fitonutricientëve tjerë.
Dr. sci. Hakif Hoxha
tel. 044/049 186 348
e-mail: hakifhoxha@live.com
Aronia është bimë që i takon familjes Rosaceae. Vjen nga Amerika Veriore dhe rritet si e egër prej Kanadasë Qendrore kah Florida në USA. Aty mund të gjenden tri lloje të aronias: aronia melanocarpa (e zezë), aronia arbutifolia (e kuqe) dhe aronia prunifolia (e purpurtë; vjollcë).
Në Evropë, për herë të parë përmendet në shënimet e Kopshtit botanik të St Petersburgut më 1834, ku përshkruhen vlerat dekorative të aronias, rezistenca e saj ndaj acarit. Për shkak të ngjyrës së bukur të gjetheve në vjeshtë dhe tufave të zeza të fryteve, është kultivuar vetëm për dekorim të kopshteve dhe parqeve.
Në fillim të shek. XX, Ivan Michurin, botanisti i famshëm rus, vëmendjen e përqendroi te vlerat praktike të aronisë. Ky ishte tentim fillestar për përdorimin si fryt. Më 1959 Bordi i farmakologjisë në Ministrinë e shëndetësisë të BRSS, rekomandoi frytet e aronias së zezë dhe lëngun e saj për përdorim klinik të gjerë në trajtimin e hipertensionit, arteriosklerozës, gastritit etj. Më 1966 filloi prodhimi i vitaminave C+P në industri nga acidi askorbik dhe polifenolet të njohura si vitamin P, të nxjerra nga mbetjet e aronias (16600-18250mg polifenol/100g).
Kjo përgatitje preferohet edhe sot për trajtimin e hemorroideve, sëmundjet e kapilarëve, hipertension, gjakderdhjeve të ndryshme. Së shpejti filloi të kultivohet në tërë Poloninë, e cila tash është prodhuesi më i madh i këtij produkti në botë. Tani janë duke u ngritur plantacione në zonën e Ukrainës, Çekisë, Bullgarisë, Gjermanisë, Skandinavisë dhe mbarë Evropën. Në vitin 2008 fillon kultivimi edhe në Angli.
Në Kosovë aronia filloi të kultivohet në vitin 2012 së pari në fshatin Herticë të Podujevës e pastaj aty-këtu edhe në pjesë tjera të vendit, ashtuqë tani janë të mbjella rreth 50000 fidane, me tendencë të rritjes së dukshme pasiqë po subvencionohet nga Qeveria. Shumë shpejt pritet të kemi prodhim aronie vendore të mjaftueshë për konsum, por edhe për eksport.
Meqenëse aroninë nuk e sulmojnë shumë insektet dhe dëmtuesit tjerë, zakonisht kultivohet si produkt bio-organik; pa përdorimin e pesticideve.
Rritja e interesimit për kultivimin e aronias është për shkak të vetive të jashtëzakonshme të frytit; përpunimi i lehtë dhe përbërja kimike e bëjnë aronian super- fryt medicinal.
Prej të gjitha pemëve të njohura aronia ka aktivitetin më të lartë antioksidues. Duke konsumuar aronian në pastrojmë trupin tonë prej radikaleve të lira me efikasitet të çuditshëm.
Prof. Iwona Wawer, nga Fakulteti i Mjekësisë në Varshavë, në librin”Aronia- paradoksi polak”, shkruan:
“Frytet e aronisë konsiderohen si ushqim funksional, duke mbrojtur shëndetin; ajo mbron nga arterioskleroza, sulmet në zemër, infarkti, sëmundjet degjenerative të sistemit nervor, dhe ngadalëson procesin e plakjes. Aronia është kombinim i benefiteve të verës së kuqe dhe çajit të gjelber – ajo përmban të dyja antocianinet dhe katekinet. Antocianinet nga aroniat ndihmojnë në tretmanin e shumë sëmundjeve me etiologji nga radikalet e lira: kanceri, kataraktet, sëmundjet inflamatore të sistemit osteoartikular si “reumatike”, Sëmundjet e Alzheimer-it dhe Parkinson-it”.
Përbërja kimike e aronias ndryshon nga regjioni i kultivimit dhe kushtet klimatike gjatë sezonit të rritjes. Aronia e freskët dhe e pjekur përmban 74-83% ujë. Materia e fortë (18%) në formë tretje përmban:
▪ sheqer (6-10%); monosaharide: fruktozë, glukozë dhe sukrozë
▪ substancat tanine (0.7%); i japin shije të veçantë kjo e ndreqë shijen e verës
▪ pektinë, (0.7%); e përshtatshme për xhem dhe marmelatë
▪ pigmente, për ëmbëlsira dhe venë
▪ kripërat minerale; në aronie janë shumë më të larta se në frytet tjera si; rrush pa fara, kulumbri apo mjedra; 1.55g/100g.
– më së shumti ka kalcium- rreth 7.8% dhe elementet tjera: molibden (0.32-1.88mg/100g), magnez (3.66-9.64mg), bakër (0.81-2.97mg), bor (0.15-0.71mg), hekur, jod, fosfor, etj.
▪ vitaminat: C, PP, B2, B9, E dhe karoten (provitamin A).
▪ Por, më e rëndësishmja është prania e polifenolit (vit P), në sasi që nuk gjendet në fryte tjera.
Sasia totale e tyre kalon 4200mg/100g ekstrakt të thatë të frytit (antocianine – 1040 mg, flavonol – 80 mg, acid hidroksicinamik – 420 mg).
Këto e bëjnë si antioksidantin natyral numër një.
Kapaciteti i absorbimit të radikaleve të oksigjenit (ORAC) është më i larti prej të gjitha frutave; 3x më i madh se boronica, dhe manaferra dhe 1.5x më i madh se mjedra dhe dredhëza, e bëjnë aronian si antioksidantin më të madh në natyrë.
Radikalet e lira të oksigjenit që lirohen në organizëm gjatë metabolizmit, dëmtojnë ADN qelizore duke shkaktuar kancerin apo duke plakur dhe dëmtuar qelizat tona. Antioksidantet i lidhin këto radikale të lira dhe i neutralizojnë ato.
Kjo i bën të pazëvendësueshme në geriatri, parandalim te kancerit, Alcheimer, sklerozë, Parkinson dhe te harresa ose zvogëlimi i koncentrimit.
Në Poloni, lëngu i aronias përdoret si medikament geriatrik.
Sasia e disa vitaminave në 100g aronia
Vitamina sasia sasia ditore
C 14-28 mg 60 mg
Karoten (provit-A) 1.8-2.5 mg 6 mg
B2 0.1 mg 1.4 mg
B9 – acid folik 0.05-0.1 100 ug
E 0.5-0.8 mg 10 mg
PP 0.6-0.8 mg 15 mg
Efektet mjekësore të aronias janë të shumëfishta. Për shkak të përmbajtjes ekstreme me fitonutricientë, ajo përdoret me të madhe në hulumtime shkencore. Për këtë ka shumë punime shkencore të kohës së fundit, meqenëse si pemë është relativisht e re. Sidomos përmbajtja tejet e madhe e vitaminës C, antioksidanteve, tanineve, dhe polifenoleve tjera, e kanë bërë të pazëvendësueshme në trajtimin dhe parandalimin e kancerit.
Është interesante që frutat e saj janë përdorur në mënyrë masive gjatë dhe pas katastrofës në Çernobil, për të lehtësuar problemet shëndetësore të personave të rrezatuar; për të parandaluar kancerin. Kjo ka bërë që në Rusi, Ukrainë, të regjistrohet si bimë mjekësore. Përveç kësaj, atje përdoret edhe si burim për prodhimin e vitaminës C.
Në bazë të të dhënave klinike në literaturën mjekësore, konsumimi i rregullt i aronias ka efektet vijuese në organizëm:
– Rritet imuniteti; Vitamina C dhe polifenolet pengojnë infeksionet bakteriale dhe virale si dhe shfaqjen e qelizave kanceroze, parandalon virozat dhe ndihmon shumë në infeksionet urinare (çaji i aronias). Aronia vret qelizat malinje.
– Zvogëlon sasinë e sheqerit në gjak
– Zvogëlon shtypjen e gjakut
– Zvogëlon nivelin e LDL, kolesterolit dhe triglicerideve; krahas lipostatineve (vit B2, B3,B5, B6), kështu pengon aterosklerozën dhe ngushtimin e enëve të gjakut
– Zvogëlon gjasat për infarkt të zemrës dhe shkurton kohën e shërimit pas atakut kardiak; duke normalizuar shtypjen e gjakut, duke zvogëluar yndyrat e këqija në gjak – kështu përmirësohet qarkullimi i gjakut
– Zvogëlon shtimin në peshë si përbërës i recetave dietale në obezitet
– Freskon lëkurën, rritë elasticitetin dhe pengon formimin e rrudhave
– Aronia e freskët është paksa e vështirë për gëlltitje, por ky veprim adstringjent është shumë efikas në qetësimin e dhembjeve të lukthit dhe shërimin e inflamacioneve të mukozës se lukthit dhe zorrëve. Ky efekt është më i dobët nëse konsumohet si aronia e terur.
– Përparësia e jashtëzakonshme e aronias është se fryti nuk akumulon elementet si plumbi, kadmiumi, arseniku etj, përkundrazi e pastron mëlçinë dhe organizmin si tërësi nga metalet e rënda dhe elementet radioaktive, prandaj është mirë të konzumohet gjatë dhe pas radio dhe kimioterapisë tek pacientet me kancer.
– Pengon formimin e trombozave venoze; polifenoli përmirëson mikroqarkullimin
– Përmirëson të pamurit, pengon kataraktin dhe ndryshimet degjenerative në sy.
– Ndikim pozitiv ka edhe në shumë organe tjera në organizem.
– Hulumtimet klinke të shumta flasin që nuk ka ndikim negativ, nëse nuk tejkalohet sasia ditore prej 300 g (fruta).
Konsumimi
Aronia është si frut i ri përveç përdorimit si ilaç, është bërë pjesë e ushqimit të shëndetshëm të kategorisë së parë në ditët e sotme. Ajo mund të konsumohet si e freskët (apo e ngrirë), e terur, ose nga frutat e saj mund të krijoni lëngje, komposto, marmelata, xhem, çaj, sallatë etj.
Ëmbëlsirat dhe produktet tjera, marrin aromë të veçantë, dhe ngjyrë të bukur pasi u shtohet aronia, si dhe ju shtohet vlera në vitamina dhe minerale. Çaji prej gjetheve të saj apo frutave, poashtu është shumë i dobishëm për shëndet. Duhet cekur se ekstrakti prej mbetjeve pas nxjerrjes së lëngut, është burim natyral i ngjyrës së kuqe të mbylltë.
Ngjyruesit natyral po përdoren çdo herë e më shumë në industrinë ushqimore, në vend të ngjyruesve artificialë.
Përdorim të madh ka edhe në prodhimin e verës apo edhe i shtohet asaj për shije, ngjyrë dhe dendësi.
Sasia ditore e mjaftueshme për vitamina, minerale dhe antioksidantë është një grusht fruta në ditë, por mund të konsumohen deri në 300 g/ditë, pa ndonjë efekt anësor. Përjashtohen nga kjo fëmijët dhe personat me shtypje zakonisht të ulët; që duhet të kenë kujdes në sasi, për të mos pasur hipotension apo marramendje.
Aroniet e ëmbëlsuara të përziera kanë veti të ngjashme. Aroniet e terura me kujdes përdoren si ekstrakt medicinal me ngjyrë të kthjelltë dhe të bukur.
Sasia prej 50g e aronieve të terura përbën dozën ditore të polifenoleve aktive për trajtimin e sëmundjeve që u përmenden më parë.
Si masë preventive mund të përdoret çaji i aronieve të terura dhe në përzierje me frytet tjera të thata të trëndafilit, murrizit ose ftonit.
Aronia është një superfrut i shëndetshëm, që ofron sasi jashtëzakonisht të lartë të vitaminave, mineraleve, antioksidanseve dhe fitonutricientëve tjerë.
Kërkimet intensive shkencore për aronian e radhisin ndër bimët çudibërëse dhe si rezervuari më i madh natyror të antioksidantëve polifenolik, duke përfshirë antocianinën dhe taninën.
Nëse shikohet pasqyra e të dhënave klinike, bindshëm preferohet konsumimi i aronias rregullisht si pemë e jo vetëm si ilaç dhe së shpejti pritet të dalë e para në listën e ushqimeve më të shendetshme për organizmin tonë. /Telegrafi/