Telegrafi

Aromat që dëmtojnë shëndetin

Një studim i ri amerikan tregon se qirinjtë me aromë dhe aromat elektrike për ambiente, mund të përmbajnë qindra substanca kimike të dëmshme për organizmin, duke përmendur ftalatet – të cilat mund të shkaktojnë anomali të lindjes te foshnja ose probleme të sistemit riprodhues.

Si shembull për paralajmërim, ekspertët kanë përmendur rastin e një femre amerikane, e cila për shkak të fiksimit ndaj qirinjve aromatikë, ka zhvilluar astmë dhe ndjeshmëri të rritur ndaj aromave të substancave tjera.

Produktet të cilat i bëjnë shtëpitë tona me aromë të mirë, mund të shkaktojnë një numër të madh problemesh shëndetësore, ndërsa simptomat mund të dallojnë te personat e ndryshëm. Te disa paraqitet kollitje e lehtë, ndërsa te të tjerët mund të paraqitet një kruarje e rrezikshme e syve.

Ajrosja e rregullt e shtëpisë apo banesës është shumë më e rëndësishme sesa ‘maskimi’ i ambientit me aroma të ndryshme nga qirinjtë ose freskuesit e ajrit, të cilët përmbajnë substanca të rrezikshme. /Telegrafi/