Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, është vlerësuar nga sportdashësit dhe qeveria e Kosovës.
Në një ceremoni të zhvilluar sot në Prishtinë, ai ka marrë “Mirënjohjen” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
“Ky vlerësim, është dhënë për kontributin e madh që Presidenti i Federatës së Futbollit Armand Duka, ka dhënë në kualifikimin dhe paraqitjen e Shqipërisë në Kampionatin Europian Francë 2016, si dhe për mbështetjen e fuqishme që i bëri pranimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, në FIFA dhe UEFA”, thuhet në njoftimin e FSHF-s.
Në këtë ceremoni, ku merrnin pjesë edhe Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës. Presidentit Duka kjo “Mirënjohje” i është dhënë nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës Kujtim Shala i cili ndër të tjera theksoi: “Këtë mirënjohje ne ja japim zotit Armand Duka për kontributin e madh që ka dhënë për futbollin shqiptar, e në mënyrë të veçantë për atë të Kosovës. Shpresojmë që bashkëpunimi midis dy Federatave motra, të vazhdojë edhe në të ardhmen, si deri më tani”.
Presidenti Duka ka falënderuar mikpritësit, ndër të tjera theksoi: “Jam vërtet i emocionuar dhe kjo është dita më e lumtur e jetës time. Falënderoj me këtë rast Ministrin Shala dhe Kryetarin Vokrri për këtë nder që më afruan. Ne, jo vetëm që do ta forcojmë bashkëpunimin vëllazëror që kemi me njeri tjetrin, por do të vazhdojmë të jemi një, e të punojmë bashkërisht me FFK për ecjen përpara të futbollit gjithëshqiptar”.
Pritja dhe ceremonia e zhvilluar ka kaluar në një atmosferë vëllazërore.