Telegrafi

Arktiku, toka e premtuar

E ardhmja e Arktikut do të jetë më pak e bardhë, pasi shpejt pritet të "nxihet" nga ari i zi. Një raport i ri i rezervave të naftës në High North ka parashikuar se
dëbora nuk do të qëndrojë edhe për shumë kohë e bardhë në ato vise. Bëhet fjalë për vlerësimin e parë të përgjithshëm dhe të plotë në lidhje me rezervat e naftës dhe të gazit në Qarkun Arktik, studim që është ndërmarrë nga gjeologët amerikanë. Sipas studimit, në akuj ndodhet "në gjumë" një e pesta e sasisë botërore të naftës dhe gazit natyror.

E përkthyer me gjuhën e prodhuesve të naftës, do të thotë se aty mund të ketë 90 miliardë fuçi nafte, mjaftueshëm për të furnizuar botën për tre vjet rresht me ritmin aktual të nevojave të gazit dhe naftës.

Domethënia e raportit është e madhe, sepse për herë të parë, një studim i tillë
del me shifra të përcaktuara qartë në lidhje me rezervat e mundshme të naftës
dhe gazit në një zonë shumë të përfolur dhe mbi të gjitha shumë të lakmuar nga pesë vendet që e kufizojnë Arktikun: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rusia, Kanadaja, Norvegjia dhe Danimarka.

Të gjitha këto shtete ka vite që po studiojnë dhe pretendojnë pjesë të kësaj pasurie të jashtëzakonshme, që për këdo të ishte një minierë floriri. Shkrirja e akujve me shpejtësi në këtë zonë bëri që shtatorin e kaluar të shënohej një fenomen i ri, pra që zonat ku ndodhet nafta dhe gazi të jenë më të arritshme
dhe më të prekshme nga dora e njeriut.

Kjo krijon mundësinë që me shkrirjen e mëtejshme të akullit të krijohet edhe mundësia reale e transportimit të sasive të mëdha të naftës e të gazit. Shkrirja e akujve ka bërë që disa korridore detare, dikur të palundrueshme, të bëhen të lundrueshme për herë të parë. Shkencëtarët e konsiderojnë ngrohjen globale
si shkakun kryesor të shkrirjes së akujve. Kjo ka bërë që akujt në zonat e ftohta
të globit të shkrijnë me një shpejtësi dyfish më të madhe se zakonisht, duke sjellë ndryshime të mëdha edhe në relievin dhe në klimën e zonave pranë tyre.

Ambientalistët e konsiderojnë një gjë të tillë si një rrezik shumë të madh. Me
shkrirjen e mëtejshme të akujve të Arktikut, e veçanërisht të zonave të
Grenlandës, niveli i deteve dhe oqeaneve do të rritet dhe uji do të pushtojë tokat.

Uji, në ndryshim me akujt, e absorbon shumë më tepër nxehtësinë dhe kjo do të
shërbejë për shtimin e ngrohjes. Shkrirja e akujve të Grenlandës ështëvkonsideruar si një zhvillim dramatik, që do të sjellë si pasoja edhe tërmete dhe lëkundje të tokës në këto zona, çka është një fenomen shumë i rrallë.

Si pasojë, pritet një zhvendosje e madhe e pjesëve të akullit, që mund të krijojnë valë të mëdha dhe cunami shkatërrues, ndikimi i të cilave do të ndihet edhe pranë zonave të banuara. Shumë shkencëtarë konservatorë janë të shqetësuar
edhe për kërcënimin që ndryshime të tilla përbëjnë ndaj ekosistemit shumë unik të Arktikut, që me siguri do të prekë edhe vetë ekzistencën e qenieve të gjalla, të kafshëve dhe bimësisë. Nga ana tjetër, vendet e Arktikut, qeveritë e konsiderojnë këtë ndryshim të shpejtë dhe drastik klimatik, si një të mirë të madhe që do t‘u japë një mundësi të jashtëzakonshme fitimi. Që prej disa vitesh, ato kanë ndërmarrë ekspedita shkencore, me qëllim kërkimet e gjetjen e mundësive për ta shfrytëzuar sa më shumë naftën dhe gazin që ndodhet nën akujt e shkrirë.

Por, për ta bërë një gjë të tillë, duhet që të kenë të drejtën ligjore, pra të kenë të drejtën e pronësisë për të shfrytëzuar nëntokën e pasur dhe shtratin nënujor të oqeanit Arktik. Sipas parashikimit më optimist të një pjese të madhe të shkencëtarëve, ajo brenda disa dhjetëvjeçarësh do të shndërrohet në një vend pa akullnaja.

Një vit më parë, media e vendeve të ndryshme i bëri shumë jehonë vendosjes së flamurit rus nga ana e Moskës në shtratin e oqeanit, në një thellësi prej 2.5 miljesh nën akujt e Polit të Veriut. Gjithashtu, Rusia përdori një akullthyes
bërthamor për të krijuar një hartë të saktë të pjesës nënujore, ngushticës që lidh Polin me Siberinë, si pjesë e përpjekjes për të bindur Këshillin e Sigurimit se, sipas fakteve, Rusisë i takon një hapësirë e madhe e ujërave të Arktikut.
Ndërkohë, shtetet e tjera nuk kanë ndenjur duarkryq.

Një muaj më parë, zyrtarët kanadezë deklaruan se janë duke përgatitur një material që do të kundërshtojë dhe hedhë poshtë pretendimet territoriale ruse, përmes fakteve të pakundërshtueshme, të cilat do t‘i japin këtij vendi të drejtën
e eksplorimit të Arktikut. Ndërkohë, studimi i fundit në lidhje me sasitë e naftës dhe të gazit në Arktik, i ndërmarrë nga studiuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk bën fjalë për konkurrencën mes vendeve pretenduese, por
përqendrohet te të dhënat statistikore dhe teknike të zonës.

Sipas këtij studimi, del se pjesa më e madhe e rezervave ndodhet në afërsi të brigjeve, brenda juridiksionit territorial të vendeve pretendente. Pjesa më e madhe e sasisë së naftës ndodhet jashtë territorit të Alaskës, ndërkohë që sasia
më e madhe e gazit është e përqendruar në linjën bregdetare ruse.

Për sa i përket zemrës së Arktikut në të, ndryshe nga sa mendohej, nuk ka sasi shumë të mëdha nafte dhe gazi. Pikërisht kjo është edhe zona që pretendohet nga pesë shtetet që qarkojnë Rrethin Arktik. Megjithatë, në studim
nuk jepen saktësisht thellësitë në të cilat ndodhen nafta dhe gazi. Për sa i përket qendrës së Arktikut, nëse aty ka sasi të mëdha nafte, vendet që do ta zotërojnë sipërfaqen dhe nëntokën do të bëjnë të gjitha përpjekjet për ta nxjerrë atë nga
sipërfaqja, pavarësisht kostove të mëdha ambientale që mund të kenë ndërmarrje të tilla gjigante.

"Para se të marrim një vendim në lidhje me nxjerrjen, apo përdorimin e rezervave të naftës dhe gazit nga zonat e Arktikut, apo vendime që kanë të
bëjnë me një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e specieve të zonës, ne duhet të dimë me saktësi teknike gjithçka që ka të bëjë me zonat dhe veçanërisht me
pasuritë që fshihen në nëntokën e tyre", bën të ditur drejtuesi i studimit amerikan, sipas të cilit bëhet fjalë për vendime shumë të vështira për t‘u ndërmarrë, të cilat do të kishin pasoja shumë më të mëdha nga sa mund të imagjinohet dhe për këtë arsye çdo gjë kërkon maturi dhe përgjegjësi.

Pjesa më e madhe e Arktikut, veçanërisht bregu, nuk është i eksploruar për sa u përket sasive të naftës dhe gazit që fshihen aty. Por dihet një gjë, se kjo pjesë e nëntokës ujore fsheh sasi shumë të mëdha nafte dhe gazi, ndër më të mëdhatë e
mbetura ende nën nëntokën e planetit tonë, sasi që ende nuk janë eksploruar, por që, sipas të gjitha gjasave, pritet të eksplorohen në një të ardhme jo fort të largët.

Gjeologët kanë studiuar harta të shkëmbinjve nënujorë, formacioneve shkëmbore në një sipërfaqe prej 8.2 milionë kilometrash katrorë nën Rrethin e Arktikut për të gjetur zona në të cilat ndodhet nafta dhe gazi. Studimi i tyre pati parasysh
edhe moshën, thellësinë dhe formën e formacioneve shkëmbore.

Mbi gjysma e sasive ende të pazbuluara të naftës dhe gazit, mendohet të ndodhet në tri zona gjeologjike: Alaska Arktike (30 miliardë fuçi nafte), Pellgu i Amerazisë
(9.7 milionë fuçi nafte) dhe Pellgu i Grenlandës (8.9 fuçi nafte). 90 miliardë fuçitë e naftës që pritet të jenë në total nën nëntokën e Arktikut përbëjnë një sasi më të madhe se ato të nëntokës së Nigerisë, Kazakistanit dhe Meksikës të bëra bashkë dhe mund t‘i përgjigjen kërkesës botërore me 86.4 milionë fuçi nafte në
ditë për një periudhë trevjeçare.

Por, nafta e Arktikut nuk do të përdoret për të përmbushur të gjithë kërkesën e planetit. Ajo do të zgjasë në kohë, pasi do të shfrytëzohen edhe rezerva të tjera në pika të tjera të planetit. Raporti nuk përfshinte vlerësimin se sa kohë duhet që nafta dhe gazi i nxjerrë prej Arktikut të bëhet gati për t‘u shitur në treg, por, gjithsesi, bëhet fjalë për një periudhë jo shumë të gjatë.

Fushat bregdetare të Gjirit të Meksikës dhe të Afrikës Perëndimore mund të duan një dhjetëvjeçar që të nisin të nxjerrin naftë. Një pikë shumë e rëndësishme
është edhe infrastruktura që do të duhet për të nxjerrë këto pasuri nga nëntoka.

Ato do të jenë krejtësisht të një teknologjie të re dhe të papërdorur më parë, për vetë vështirësitë e terrenit akullnajor nënujor, që veç vështirësive të njohura,
mund të rezervojë edhe gjëra të papritura./Shqip/