Site icon Telegrafi

Arkivi Publik i Lumbardhit pasurohet me arkivin personal të regjisorit të ndjerë Besim Sahatçiu

Fondacioni Lumbardhi ka njoftuar se arkivi personal i regjisorit të ndjerë Besim Sahatçiu është bërë pjesë e Arkivit Publik të krijuar në kuadër të kësaj organizate.

Me këtë rast, Lumbardhi ka bërë të ditur se është në përfundim të procesit të digjitalizimit të arkivit të Sahatçiut.

“Në vazhdën e proceseve të grumbullimit dhe digjitalizimit të arkivave të ndryshme të individëve  dhe institucioneve të ndryshme që kanë formësuar jetën artistike, intelektuale si dhe trashëgiminë kulturore në Kosovë, kemi kënaqësinë të lajmërojmë se jemi në përfundim të procesit të digjitalizimit të arkivit personal të regjisorit të mirënjohur Besim Sahatçiu”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Besim Sahatçiu, si figurë kyçe e kinematografisë së shekullit XX në Kosovë, sipas Lumbardhit, ka lënë pas një arkiv të organizuar me kujdes, duke ofruar dëshmi audio-vizuale dhe materiale përgjatë momenteve të ndryshme të karrierës së tij, duke filmuar dokumentarë, filma artistikë, vepra në teatër si dhe kujtime apo mirënjohje të ndryshme me të cilat është vlerësuar gjatë jetës së tij.

Regjisori i ndjerë, Besim Sahatçiu lindi në Pejë në vitin 1935 dhe ndërroi jetë në vitin 2005. Veprimtaria e tij ka qenë gjerësisht e shtrirë në artet skenike dhe kinematografi, duke qenë ndër dokumentaristët e parë në Kosovë, që ka realizuar filma tanimë kult në kinematografinë e Kosovës si dhe me kontributin të dalluar edhe në teatër.

Fondacioni Lumbardhi, ka sqaruar se kohë më parë, ka trajtoi këtë trashëgimi përmes Ansamblit Eksperimental të Lumbardhit, i cili nën udhëheqjen e Ilir Bajrit kompozoi dhe performoi kolona zanore për dokumentarët ikonikë “117” dhe “Pehlivanët”, raporton Telegrafi.

“Digjitalizimi i arkivit të Besim Sahatçiut u bë me bashkëpunimin dhe mbështetjen e familjes së tij, bashkëshortes Besa dhe djemve Besnik Sahatçiu Ora dhe Bekim Sahatçiu, të cilët e ndanë me Lumbardhin këtë arkiv që ai të jetë i qasshëm për të gjithë, duke hapur mundësi për studime dhe interpretime të mëtutjeshme të punës së tij”, thuhet në njoftimin e Fondacionit Lumbardhi, që po ashtu ka ndarë disa prej imazheve të shkëputura nga shesh-xhirimet, prapaskenat dhe në filmimet e “Era dhe Lisi”, “Trimi” dhe “Tre vetë kapërcejnë malin”.

Arkivi Publik i Lumbardhit mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /Telegrafi/

Exit mobile version