Përzgjedhësi i Kosovës U21, Afrim Tovërlani, ka publikuar listën dhe po kryen përgatitjet për dy ndeshjet miqësore me Maqedoninë e Veriut, ku në sy ka rënë ftesa edhe për mesfushorin Arjanit Fazlija, një djalosh që ka ngjitur të gjitha kategoritë me fanellën Dardane.
Gjenerata te U21 është ndërruar, siç e ka cekur edhe përzgjedhësi Tovërlani, ndërsa këto dy ndeshje do të shërbejnë për të njohur më mirë lojtarët dhe për t’i shikuar nga afër.
Në mesin e të ftuarve është edhe Arjanit Fazlija i cili ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Dardanëve, që nga U15, pastaj U17, U19 dhe tani U21.
Suksesin më të madh deri tani e kishte me Kosovën U19 nën drejtimin e Adil Maliqit, ku kaluan në Main Raund duke luajtur tre ndeshje në Slloveni.
Në atë kohë pjesë e Bayer Leverkusen, edhe pse me një lëndim, Arjaniti kishte shtrënguar dhëmbët vetëm ta ndihmonte Kosovën, duke qenë pjesë e sukseseve të Kosovës.
Një djalosh i lindur dhe i rritur në Gjermani, që ka treguar kaq shumë dashuri dhe përkushtim për ngjyrat Dardane, gjë e rrallë dhe e bukur.
Ai aktualisht është pjesë e Greuther Furth klub me të cilin ka nënshkruar kontratë këtë vit. Ai ka filluar të gjejë formën, duke luajtur me ekipin e dytë në 14 ndeshje, ku ka edhe dy asistime.
Fazlija njihet edhe për lojën e fortë, gjë që këtë sezon ka marr edhe pesë kartonë të verdhë, duke konfirmuar se nuk lëshon lehtë terren për kundërshtarin.
Pas 16 ndeshjeve, me ekipet U15, U17 dhe U19, tani për Arjanit Fazlijën që në të shkuarën ka bartur edhe shiritin e kapitenit në disa ndeshje, fillon një periudhë e re te shpresat Dardane, aty ku do të provojë të tregojë vetën, për të vazhduar ecurinë e tij për Kosovën. /Telegrafi/