Site icon Telegrafi

Ariu gjigant sulmon trajnerin gjatë një shfaqje cirku – pasi ‘e ndaloi të hante ushqimet e hedhura nga publiku’

Një ari i zi rreth 200 kilogramësh është filmuar duke sulmuar trajnerin e tij gjatë një shfaqjeje cirku në Kinë pasi burri dyshohet se ndaloi kafshën të hante ushqime të hedhura nga publiku.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet e tmerrshme tregojnë kafshën gjigante duke kafshuar dhe sulmuar “zbutësin” ndërsa stafi tjetër goditi në mënyrë të përsëritur kafshën me shkopinj, duke e detyruar atë të linte kolegun e tyre.

Për fat të mirë, trajneri i kafshëve mbijetoi pa dëmtime të rënda pasi ariut iu janë hequr dhëmbët që kur ishte një këlysh për të parandaluar dëmtimin e njerëzve, raportuan mediat kineze.

Ngjarja thuhet të ketë ndodhur gjatë një shfaqje cirku të premten në Puyang, provinca Henan e Kinës qendrore.

Ariu i zi nisi sulmin pasi u godit nga zbutësi i tij i cili e pengoi atë të ‘hante ushqimet’, tha një dëshmitar.

‘Një djalë hodhi një suxhuk [në skenë]. Ariu donte ta hante dhe zbutësi nuk e lejonte sepse po performonte’. /Telegrafi/

Exit mobile version