Pasarelat e bukurisë dhe modelizmi
Biondina Arita edhe pse vetëm 20-vjeçe ka arritur atë që për shumicën e femrave mbetet vetëm një ëndërr e ëmbël – madje e paarritshme. Ajo ka fituar një mori kurorash të bukurisë – duke filluar nga Princesha e bukurisë (Princess of Beauty 2006), e deri te Miss Diaspora 2007, Miss Teen Norway 2007, Top modele e vitit 2008, Fytyra e vitit 2008, Miss Scandinavia Internacional 2008, Miss kinemaja 2008 (në Shqipëri)…
Dhe me gjithë këto kurora mi kokë, Arita ka një synim edhe më të madh, pasi që kurora Miss Scandinavia Internacional ia ka mundësuar të përfaqësojë tri shtete skandinave, Norvegjinë, Suedinë dhe Danimarkën në Miss Europe, ndërsa Maqedoninë do ta përfaqësojë në garën e bukurisë, Miss Globe.
Ndërkaq, falë kurorës Top modele e vitit 2008 dhe Fytyra e vitit 2008 në Norvegji, Arita është përzgjedhur imazh i një linje të veshjeve të firmës “Sean John Clothing Line”, firma e suksesshme në botë e reperit Puff Duddy.
Kështu, pas disa ditësh Arita do të niset drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të qëndrojë rreth 3 muaj. Dhe duket se ky projekt i ri nuk do të jetë fare i vështirë për bukuroshen shqiptare, pasi që ajo tashmë ka bërë emër në pasarelat e modës në Norvegji, por edhe gjetkë, sepse ka kontratë pune si modele në disa shtete të botës.
Gjuhët e huaja, familja, shoqëria…
Përkundër faktit se është lindur dhe rritur në Norvegji Arita flet për mrekulli gjuhën shqipe – në fakt ajo është një enciklopedi gjuhësore, pasi zotëron edhe një kallaballëk gjuhësh të tjera si – suedisht, danisht, anglisht, gjermanisht, serbisht, italisht, sllovakisht etj…dhe prapë shpreh interesim për të mësuar edhe gjuhë të tjera.
E pyetur se kujt ia dedikon gjitha këto suksese, Arita potencon familjen e saj – e cila thotë se e ka bërë të jetë ajo çfarë është sot. “Këto suksese ia dedikoj familjes dhe i falënderoj me shpirt e me zemër që më kanë bërë kjo që jam sot – pra, mamin, babin, vëllezërit që i kam mjekë dhe motrën, për mbështetjen e tyre të pafundme”.
Ajo nuk harron të falënderoj shoqërinë e saj, pastaj adhuruesit besnik dhe stilistin Marko dhe natyrisht Zotin për të gjitha sukseset që i ka arritur deri më sot.
Po kush bën pjesë në shoqërinë e Aritës? Në mesin e shokëve dhe shoqeve të ngushta të Aritës bëjnë pjesë, këngëtari Blero, stilisti Armend Ramadani, këngëtarja Big Mamma dhe shumë të tjerë…
Arita e paarritshme edhe në dashuri?
Ndaj pamjes së Aritës dhe sukseseve të saj të njëpasnjëshme nuk kanë mbetur indiferent as top-fytyrat e botës mashkullore shqiptare. Burime të Telegrafit kanë bërë të ditur se për Aritën kanë shprehur interesim një mori fytyrash publike shqiptare, mes të cilëve ka emra këngëtaresh, sportistësh, politikanësh…si, Alban Skënderaj, Shpati, Adrian Gaxha, Ermal Fejzullahu, Elvir Muriqi, Blero e plot të tjerë.
Sidoqoftë Arita ka hedhur poshtë spekulimet për një histori të mundshme dashurie mes saj dhe personave të përmendur. “Marrëdhëniet e mia me shumicën prej tyre, ta zëmë me Albanin ose Bleron, janë njësoj si një vëlla e motër. Me Albanin jemi njohur gjatë konkursit të bukurisë që u zhvillua në Norvegji dhe aty ai ishte i ftuar, dhe prej asaj dite unë e konsideroj si një shok të ngushtë dhe si një mik që gjithkush do ta kishte zili”, ka thënë ajo.
E pyetur nëse Arita është e dashuruar – ajo fillimisht jep një përgjigje diplomatike, por në fund “zbut” zemrën dhe për herë të parë zbulon për mediat shqiptare se ajo në fakt është “e dashuruar”. “Për momentin jam e dashuruar shumë në karrierën time dhe karriera ime është e dashuruar në mua. Por nëse me pyesni a jam e dashuruar – mund të them po – jam e dashuruar. Dhe, nuk dashurohem unë, por të tjerët dashurohen në mua”, thotë Arita duke buzëqeshur.
Në insistimin e Telegrafit për të mësuar se kush është ai person – Arita jep një përgjigje të shkurtër – “nuk është këngëtar por është fytyrë publike shqiptare e njohur në Evropë dhe më gjerë”.
Burimet e Telegrafit flasin se ai person nuk është kush tjetër pos futbollisti i mirënjohur kosovar në Francë, Lorik Cana – mirëpo Arita nuk e pohon as nuk e mohon këtë gjë, përkundër faktit se përflitet se ajo në kohën e fundit goxha shpesh e viziton Francën. Ajo përgjigjet shkurt: “Do ta kuptoni kur të vjen koha për një gjë të tillë”.
Sidoqoftë Arita zbulon se te një mashkull me rëndësi për të është te ketë zemër të mirë, respektivisht bukuri të brendshme, dhe më pastaj nëse ai person ka edhe bukuri të jashtme atëherë është një plus edhe më i madh. Pastaj, sipas saj, vijnë fama, pasuria etj.
Hobi dhe planet e mëtutjeshme…
Arita thotë se bën fitness çdo ditë në ora 7 të mëngjesit, për të vazhduar më pastaj me vrapim 7 kilometrash me trajner personal, ndërsa ditën e vazhdon me muzikë dhe vallëzim.
Arita thotë se hobi i saj është të shkruaj tekste për muzikë, ngase qysh nga fëmijëria merret edhe me muzikë. Madje, edhe në këtë sferë ka treguar sukses të jashtëzakonshëm, pasi që në moshën 13-vjeçare ka fituar në festivalin norvegjez “Summer Voice”.
Për portalin Telegrafi ajo zbulon një detaj tjetër – së shpejti pritet bashkëpunim i saj me një këngëtar shqiptar, por emrin e mban sekret sepse dëshiron që edhe kjo të mbetet surprizë për adhuruesit e saj.
Sidoqoftë, Arita që vetën e përshkruan si një vajzë origjinale që ka stil unikat dhe që nuk e kopjon askënd, do të vazhdojë punën e saj në botën e modelimit për disa muaj në New York, për të vazhduar më pastaj në Francë, Gjermani dhe Itali.
=CV=
Ditëlindja: 02.12.1988
Gjatësia:1.75 cm
Pesha: 50 kg
/Telegrafi/