Site icon Telegrafi

Argjentinasit dalin në rrugë, 44.7 për qind e tyre jetojnë nën kufirin e varfërisë – protestojnë kundër masave të paralajmëruara shtrënguese

Mijëra njerëz dolën në rrugët e Buenos Aires për të protestuar kundër masave shtrënguese të qeverisë, që u pa si prova e parë e vërtetë për presidentin e sapozgjedhur të Argjentinës, Javier Milea.

Protestuesit lëviznin drejt sheshit kryesor, Plaza de Mayo, një vend historik grumbullimi përpara pallatit presidencial, duke kërkuar më shumë mbështetje financiare për të varfrit, transmeton Telegrafi.

Milei mori detyrën në fillim të këtij muaji, me premtimin për të reduktuar shpenzimet publike, dhe njoftoi një reformë të gjerë ekonomike dhe një zhvlerësim 54 për qind të monedhës kombëtare.

Ai shkurtoi subvencionet shtetërore për karburant dhe transport, si dhe u reduktua edhe aparati shtetëror.

Numri i ministrive u përgjysmua nga 18 në 9, me arsyetimin se kjo ishte e nevojshme për të zgjidhur krizën akute ekonomike argjentinase.

Milei njoftoi gjithashtu orientimin e politikës së jashtme të Argjentinës drejt SHBA-së dhe Izraelit, dhe një largim nga Kina dhe partnerët e majtë rajonalë.

Sipas vlerësimeve të Universitetit Katolik të Argjentinës (UCA), 44.7 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë dhe pa programe sociale shtetërore do të ishte 50 për qind.

Policia i largoi protestuesit nga rruga në mënyrë që qarkullimi rrugor të rrjedhë.

“Ky është një mobilizim paqësor. Ne nuk duam asnjë lloj konfrontimi. Nuk duam asnjë konflikt”, i tha radios lokale Eduardo Belliboni, kreu i grupit të protestës së majtë Polo Obrero, i cili bëri thirrje për protesta.

Protesta u mbajt të mërkurën pasi ministri i ri i Sigurisë javën e kaluar zbuloi një “protokoll” mbi ruajtjen e rendit publik, që lejon forcat e sigurisë të ndërhyjnë.

Qeveria lëshoi ​​gjithashtu një paralajmërim se njerëzit që bllokojnë rrugët mund të humbin të drejtën e tyre për përfitime shtetërore. /Telegrafi/

 

Exit mobile version