Veç gjashtë gola
Gjashtë ndeshje = gjashtë gola. Ky është bilanci i golave që solli java 11 e Superligës. Deri më tani nuk ka pasur kaq pak gola, që do të thotë se kjo javë ishte më e dobëta sa i përket efikasitetit të lojtarëve.
Në Fushë Kosovë s’ka gjyqtar të katërt
Në ndeshjen Fushë Kosova – Prishtina, nuk pati gjyqtar të katërt. Kështu të paktën tregon protokolli zyrtar i ndeshjes, në të cilin nuk figuronte fare gjyqtari i katërt. Në fakt, gjyqtar i katërt ishte Idriz Kelmendi, i cili e kreu detyrën e tij, por që në protokoll nuk ishte fare emri i tij.
Prishtina s’ka rezerva të bollshme
Janë klubi më i madh në vend, por në ndeshjen ndaj Fushë Kosovës nuk patën lojtarë të mjaftueshëm për të mbushur protokollin. Ata patën gjashtë rezerva (me portier), një më pak se sa duhet të jenë në protokoll.
Skuadrat në krizë nxirren ndaj Besës
Duket se skuadrat që po kanë kriza po ringjallen pikërisht ndaj Besës së Pejës. Së pari i ndodhi Ferizajt. Pas humbjes 3:1 nga Drenica, ata mposhtën Besën 5:1, dhe më pas realizuan edhe dy fitore tjera në udhëtim për të marrë kreun. Prishtina ndaj Besës iu dha fund fitoreve me rezultat 1:0, pasi e mposhti Besën 3:0. Së fundi, Hysi nuk fitonte në tri ndeshjet e fundit, ku rezultateve negative iu dha fund në Pejë, duke mundur 2:0 Besën dhe për t’u rikthyer sërish në krye.
Baliqi qëllon shtyllën, portieri kundërshtar e përqafon
Kapiteni i Trepçës, Emin Baliqi, në ndeshjen ndaj Trepçës ’89 gjatë një rasti të mirë qëlloi shtyllën, ku më pas portieri kundërshtar, Enis Manxholli, shkoi dhe iu hodh në përqafim duke e falënderuar që nuk i shënoi gol.
Derbi i shtyllave
Derbi mitrovicas, Trepça – Trepça ’89 nuk solli gola, por solli shtylla. Gjithsej tri herë u qëlluan shtyllat e portave. Dy herë e bënë këtë Trepça e një herë 89-shi.
Krasniqi, 14 ndeshje pa humbje me Feronikelin
12 ndeshje pa humbje ishte bilanci i trajnerit Ramiz Krasniqi me Feronikelin në kampionatin e kaluar. Ai tani sërish është rikthyer në këtë klub, ku në dy takimet e para shënoi dy barazime, duke ruajtur pamposhtshmërinë në Superligë për 14 ndeshje radhazi.
Pampurat brohorasin: Plisat, Plisat
Tifozeria e Prishtinës, Plisat bashkë me klubin janë ndër më të urryerit kur dalin jashtë Prishtinës. Mirëpo, kështu nuk ishte edhe në Fushë Kosovë. Tifozëria e këtij klubi, ‘Pampurat’ thërrisnin Plisat, Plisat.
Drenica e Jashari nuk mposhten
Drenica nuk mbahet mend të ketë pasur një seri të tillë të rezultateve. Gjashtë ndeshje pa humbje, prej tyre katër fitore, është bilanci i kuqezinjve. Të gjitha këto rezultate janë arritur me trajnerin Afrim Jashari, i cili po e çmend gjithë Superligën me rezultatet e arritura.
9500 shikues
Ishte java më e varfër për nga golat, por në anën tjetër ishte java ndër më të pasurat sa i përket shikueshmërisë. Në gjashtë ndeshje u tubuan rreth 9500 shikues. Më së shumti pati në Vushtrri, 2500, kurse më së paku në Pejë, 500.
Prishtina, 5 ndeshje pa fitore si mysafir
Nuk ka ndodhur që Prishtina në pesë ndeshje radhazi si mysafir të mos shënojë të paktën një fitore. Madje, ata kanë pësuar tri humbje dhe dy barazime.
Ferizaj, tri ndeshje pa pësuar gol
Mbrojtja e Ferizajt po shkëlqen në ndeshjet e fundit. Tri takime ose 270 minuta është bilanci i pamposhtshmërisë së kësaj skuadre. Ata nuk u mposhtën ndaj Fushë Kosovës, Trepçës ’89 e Feronikelit.
Besa me dy humbje në shtëpi
Besa gjatë tërë kampionatit të kaluar ka pësuar vetëm një humbje në shtëpi, kurse këtë herë vetëm në fazën e parë pësoi dy humbje. Llamkos Kosova dhe Hysi e mposhtën. /Tribuna/Telegrafi/